Jurgen Klinsmani e ka vlerësuar pozitive paraqitjet e Shqipërisë në EURO 2024.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë për “ESPN”-në, trajneri gjerman ka thënë se kuqezinjtë kanë një ekip plot me cilësi.
Pavarësisht se i mungojnë emrat e mëdhenj, sipas tij, Shqipëria është një ekip që mund të shqetësojë të tre kundërshtarët në grupin B.
“Ky është grupi i vdekjes, me Spanjën, Italinë dhe Kroacinë, dhe Shqipëria ka një ekip plot me cilësi. Shumica e lojtarëve luajnë në Serinë A, në Itali, dhe vërtetë që mund t’ju shqetësojnë. Këtë janë duke bërë.
Shqetësuan shumë Italinë dhe tani shqetësuan Kroacinë. Kështu do të bëjnë edhe në ndeshjen e fundit me Spanjën. Është një ekip i mirë. Nuk ka një emër të madh ose lojtarë me emra të mëdhenj, por kanë cilësi. Kështu që nuk u befasova shumë”, ka thënë Jurgen Klinsmani./TopChannel