E gjithë Tirana është përfshirë sot në një aksion vullnetar pastrimi, në të 27 njësitë administrative të saj.
Ndërmarrjet e bashkisë së Tiranës, vullnetarë nga shkollat e kryeqytetit dhe qytetarë, i janë bashkuar thirrjes për të pastruar njësinë, lagjen apo pallatin e tyre.

Edhe kryebashkiaku Erion Veliaj u bë pjesë e këtij aksioni në rrugën nacionale Ndroq-Plepa, i shoqëruar nga nxënës vullnetarë të shkollave “Ismail Qemali”, “Sami Frashëri” dhe “Eqerem Çabej”.
Ai nënvizoi se sot Tirana pastrohet 2-3 herë në ditë, dhe për shkak të rritjes së numrit të turistëve dhe konsumit të lartë, mund të shkojë në një regjim më të shpeshtë.

“Në korrik-gusht fillojnë pushimet, çka do të thotë se shtohet volumi i mbetjeve në Tiranë sepse do të shtohen turistët. Nëse shifrat vazhdojnë si ato të fillim vitit dhe ne shkojmë në 14-15 milionë turistë, do të thotë se mesatarisht në Tiranë do të kemi çdo muaj nga 1 milionë qytetarë shtesë, veç rezidentëve. Pra, edhe volumi i pastrimit do të shtohet, por do të na duhet të shtohet edhe volumi i kulturës dhe i pastërtisë që mban secili për vete”, tha Veliaj.

Kreu i bashkisë kërkoi nga qytetarët e Tiranës që të mbajnë pastër mjedisin ku jetojnë sepse sipas tij, vetëm në këtë mënyrë do të kemi një qytet të pastër, pavarësisht fluksit të turistëve.

“Ka shumë turistë që vijnë nga vende të tjera, të cilat nuk e praktikojnë hedhjen e mbetjeve në kosh, por i lënë me qese të zeza te dera. Këto qese rrinë në tokë për orë të tëra dhe bëhen problematike për kafshët e rrugëve. Për këtë arsye u kërkoj qytetarëve të Tiranës që, nëse dikush ka ardhur për të bujtur me Airbnb në banesën e tyre, t’i njoftojnë se ne i çojmë qeset te koshi. Sot Tirana ka një volum pastrimi 2-3 herë në ditë, por ndoshta do të shkojmë edhe në një regjim më të shpeshtë”, tha ai.

Ai informoi se në Tiranë do të krijohet një pikë që do të quhet ishull ekologjik, ku qytetarët mund t’i sjellin vetë higjeno-sanitaret dhe të mos i lënë te dera e pallatit. Shumë shpejt do të publikojmë edhe një numër unik, ku shërbimi i marrjes së mobilieve të vjetra do të kryhet nga bashkia e Tiranës, kundrejt një pagese modeste, për të mos i lënë më poshtë pallatit”, theksoi Veliaj.

Aksioni për pastrimin e Tiranës në një ditë, po kryhet në të gjitha njësitë administrative të kryeqytetit, për të mikpritur ashtu siç i ka hije shqiptarëve, turistët, por edhe për të pasur një mjedis sa më të pastër./ata