Për herë të parë në Kosovë po mbahet konferenca e 14-të e kryetarëve të Gjykatave Supreme të Evropës Qendrore dhe Lindore, ku nikoqire është Gjykata Supreme e Kosovës.
Në këtë konferencë morën pjesë kryetarë të Gjykatave Supreme të Lituanisë, Çekisë, Sllovenisë, Polonisë, Shqipërisë, Rumanisë, Malit të Zi dhe Bullgarisë, ku do të diskutohet për pavarësinë e gjyqësorit, rastet e prapambetur dhe vonesa, qasja në drejtësi, mbështetja dhe respekti i publikut për gjyqësorin dhe risitë teknologjike në reformën gjyqësore.
Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Rexhepi tha se përmes diskutimeve në këtë konferencë synojnë shkëmbimin e praktikave më të mira për forcimin e sistemit gjyqësor. Me këtë rast, ai foli edhe për pavarësinë e gjyqësorit, derisa tha se disa herë ka pasur tentativa për ndërhyrje në të.
"Pavarësia e gjyqësorit është padyshim gurthemeli i një demokracie funksionale, baza dhe çatia e gjithë shtetit të së drejtës pa të cilin parim gjyqësori nuk do të kishte asnjë kuptim. Ky parim garanton që gjyqësori të mbetet i lirë nga çfarëdo ndikimi, mirëpo garancitë që Kushtetuta dhe legjislacioni i jep gjyqësorit nuk duhet marrë gjithmonë si të mirëqena. Por, ne duhet të punojmë pa reshtur për ta forcuar e të qëndrojmë vigjilent për ta mbrojtur këtë pavarësi nga kushdoqoftë", theksoi Rexhepi.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani tha se rëndësia e pavarësisë së sistemit gjyqësor duhet të jetë mesazhi esencial në kuadërt të dialogut në këtë konferencë. Ajo tha se në esencë pavarësia e pushtetit të gjyqsorit buron nga gjyqtarët, profesionalizmi, përkushtimi, integriteti dhe qëndrueshmëria e tyre.
"Është absolutisht jetike që dialogu dhe bashkëpunimi gjyqësor të vë theks në nevojën për ruajtjen dhe avancimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor që shfaqet e rishfaqet si sfidë edhe në demokracitë e reja por jo vetëm edhe në ato që janë më të avancuara anë e mbanë globit", theksoi Caka-Nimani.
Kjo konferencë organizohet nga Instituti "CEELI" i cili ka mision avancimin e sundimit të ligjit në botë, për të mbrojtur të drejtat themelore dhe liritë individuale, promovimin e transparencës, anti-korrupsionit dhe llogaridhënies qeveritare./aa