Kryetari i Parlamentit të Mbretërisë së Arabisë Saudite, Abdullah ibn Muhammad Al-Sheikh, ka realizuar një vizitë zyrtare në Shqipëri, ndërkohë është pritur në takim nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla.

Në një njoftim nga Kuvendi i Shqipërisë thuhet se gjatë takimit të realizuar në Kryesinë e Kuvendit u bisedua mbi nxitjen e bashkëpunimit dypalësh, si dhe "marrëdhënieve shumë të mira politike, ekonomike e parlamentare mes dy vendeve".

Gjithashtu theksohet se Nikolla i shprehu homologut saudit mirënjohjen për ndihmën financiare dhënë Shqipërisë ndër vite, sipas saj, për financimin e projekteve të rëndësishme infrastrukturore dhe interesin e shtuar të kompanive saudite për të konsideruar investimin në Shqipëri në fushat e energjisë, turizmit, bujqësisë, agro-biznesit dhe minierave.

"Dy vendet tona do të zgjerojnë bashkëpunimin e gjithanshëm politik, ekonomik e parlamentar, do të intensifikojnë luftën kundër krimit, terrorizmit, radikalizmit dhe ekstremizmit, për mbrojtjen e paqes sigurisë", është shprehur Nikolla.

Kryetarja Nikolla i shprehu kryetarit Al-Sheikh mirënjohjen për njohjen dhe mbështetjen e Kosovës nga Arabia Saudite në kërkesat për anëtarësim në UNESCO, Interpol dhe të tjera, si edhe besimin se kjo mbështetje do të vijojë.

Sipas njoftimit, kryetari i Parlamentit të Arabisë Saudite, falënderoi kryetaren Nikolla për pritjen e ngrohtë.

"Arabia Saudite do të vijojë bashkëpunimin me Shqipërinë dhe ky bashkëpunim është shumë më tepër se politik, ekonomik e financiar, është një ‘përkthim’ i miqësisë mes vendeve tona dhe popujve tanë", ka theksuar kryeparlamentari saudit

Gjithashtu theksohet se Nikolla dhe Al-Sheikh nënvizuan se parlamentet e Shqipërisë dhe të Arabisë Saudite do të vijojnë të nxisin bashkëpunimin e gjithanshëm mes dy vendeve./aa