Ceremonia e hapjes së sfidës me Spanjën dhuroi emocione të shumta me flamujt gjigandë të Shqipërisë dhe Spanjës që u valëvitën në fushën e blertë.

DYSELDORF, 24 qershor /ATSH-Gjergji Mima/ Shqipëria dhe Spanja nisën ndeshjen në Dyseldorf në sfidën e fundit të grupit B për EURO2024.

Tifozët kuqezi, të cilët janë më të shumtë në stadium kanë dhuruar spektakël me flamuj, bluza, qeleshe, etj në ceremoninë e hapjes së ndeshjes.

Ata dhuruan një koreografi magjike, edhe teksa u luajtën himnet e të dy vendeve me ngjyrat kuqezi dhe një flamur gjigand të shpalosur.

Trajneri i Shqipërisë Silvinjo ka bërë vetëm një ndryshim në krahasim me formacionin titullar që zbriti ndaj Kroacisë, duke ulur në stol Hysajn dhe duke futur në vend të tij Balliun.

Kështu në portë luan Strakosha. Në mbrojtje, Balliu, Ajeti, Gjimshiti (C), Mitaj. Në mesfushë Asllani, Ramadani, Laçi. Ndërsa në sulm janë Asani, Bajrami dhe Manaj.

Spanja vjen në këtë takim si një prej skuadrave favorite për të fituar EURO2024 pasi rezervoi vendin e saj në raundin e 16-të si fituese e Grupit B.

Për këtë, trajneri De la Fuente ka zbritur në fushë me formacionin me disa ndryshime në krahasim me Italinë.

Ndërsa, Shqipëria kërkon tre pikët për të arritur një kualifikim historik në fazën e 1/16-ave në një kampionat evropian.

 

Formacionet zyrtare

 

Shqipëria: Strakosha, Balliu, Ajeti, Gjimshiti (C), Mitaj, Asllani, Ramadani, Laçi, Asani, Bajrami, Manaj.

Spanja: David Raya; Navas, Laporte, Vivian, Grimaldo; Merino, Zubimendi, Olmo; Ferran, Joselu, Oyarzabal./ata