Ashtu sikurse ishte parashikuar dhe pritej, për shkak të thatësirave të shumta prodhimi i ullinjve në vend ka humbur ndjeshëm terren. Të dhënat zyrtare nga Instituti i Statistikave tregojnë se gjatë vitit 2023 u prodhuan në total 117.6 mijë ton ullinj nga 157.7 që u prodhuan në vitin 2022, me një rënie që regjistrohet në 40.1 mijë ton më pak.

E thënë ndryshe rënia është në nivelin 25,4 %, krahasuar me një vit më parë. Varietetet e ullirit për vaj përbëjnë 87,25 % të prodhimit gjithsej dhe varietetet e ullirit për tavolinë përfaqësojnë 12,75%.

E ndarë në  qarqe, prodhimi më i lartë i ullinjve rezulton në qarkun e Fierit me 37.7 mijë ton, ndjekur nga qarku i Elbasanit me 24.1 mijë ton, më pas renditet qarku i Vlorës me 23.5 mijë tonë, qarku i Beratit me 12.8 mijë ton, Durrësi me 7.2 mijë tonë, Tirana me 6.8 mijë tonë ndërsa qarqet e tjera prodhojnë sasi shumë të ulëta.  Dibra, Korça dhe Kukësi janë qarqe qe nuk kultivojnë ullinj.

Rritja e prodhimit të ullirit në vitin 2022 mbingopi tregun dhe bëri që çmimi i vajit të binte në mesatarisht 500 lekë për litër.  Nisur nga kjo situatë, konsumatorët shqiptarë jo vetëm u nxitën të rrisnin konsumin e këtij produkti, duke zëvendësuar vajin e lulediellit, por edhe të orientoheshin drejt prodhimit vendas. Ndërsa duke parë ecurinë e prodhimit gjatë vitit 2023, çmimet e shitjes së vajit të ullirit u rritën sërish në mesatarisht 700-800 lekë për litër.

Fermerët nuk mbajtën rezerva pasi përpos rritjes së kërkesë konsumatorë vendase, Italia u tregua shumë agresive në këtë drejtim dhe përmes një marrëveshje me Ministrinë e Bujqësisë bleu prodhimin shqiptare me një çmim shumë të ulët.

Të dhënat nga tregu bëjnë me dije se pavarësisht rënies së prodhimit të ullirit, arrihet që të mbulohet kërkesa vendase me ullinj dhe vaj ulliri./Tema