Ligji i miratuar nga parlamenti për pagat e prapambetura të punonjësve dhe ish-punonjësve të Kombinatit Mekanik të Poliçanit u publikua në Fletoren Zyrtare.
Ligji i miratuar në Kuvend në 6 qershor, u dekretua nga Presidenti Bajram Begaj më 26 qershor 2024. Përmes këtij ligji vendoset në dispozicion për pagat e prapambetura për punonjësit dhe ish-punonjësit e Kombinatit Mekanik të Poliçanit fondi prej 58 milionë e 500 mijë lekë dhe 25 milionë e 300 mijë lekë për financimin dhe mbulimin e detyrimeve për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore.
Efektet e ligjit, do të shtrihen brenda vitit 2024. Nga ligji i miratuar në Kuvend me propozim të qeverisë, fillimisht përfitues do të jenë 127 punonjës punonjës të palikuiduar për periudhën shkurt 2017 deri më 31 dhjetor 2020. Po ashtu do të përfitojnë trajtim financiar dhe 4 punonjës aktualë, për vitet 2021- 2023
Ligji synon trajtimin financiar, si dhe pagimin e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore për punonjësit dhe ish-punonjësit e Kombinatit Mekanik Poliçan, duke përballuar efektet financiare për 4 punonjësit aktualë, për vitet 2021- 2023 dhe për 127 punonjës të palikuiduar për periudhën shkurt 2017 deri më 31 dhjetor 2020.
Efektet financiare, për detyrimet për paga dhe deklarimin e kontributeve në sistemin e-filling, janë në masën 58 500 000 lekë për pagat dhe 25 300 000 lekë për sigurime shoqërore, shëndetësore, në vlerën totale 83 800 000 lekë, të cilat do të përballohen nga fondi i alokuar për Ministrinë e Mbrojtjes, në shpenzimet korrente në programin buxhetor “Mbështetja e luftimit”, njësia shpenzuese “Komanda mbështetëse”, brenda vitit 2024.
Ligji hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në fletoren zyrtare më 28 qershor./ata