Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu tha sot se “rritja historike e pagave për mësuesit fillon nga 1 korriku dhe do të përfshijë 30 mijë punonjës në sistemin tonë arsimor duke qenë kjo rritja më e madhe e pagave në këto dekada”.
Në një prononcim për mediet pas mbledhjes së qeverisë, Manastriliu theksoi se “paga mesatare e mësuesve rritet me 18 mijë lekë të reja apo me tre paga në vit duke konsideruar pagën aktuale duke e çuar pagën mesatare të mësuesve në 950 euro”.
“Më konkretisht nëse do kalonim në kategoritë specifike paga mesatare e mësuesit në arsimin e mesëm të lartë që ka nivelin e kualifikimit edhe vjetërsinë mbi 15 vite pune do të shkojë 79 800 në 98 500. Paga mesatare e mësuesit në arsimin e mesëm të ulët me mbi 15 vite vjetërsi shkon nga 75 800 në 96 mijë lekë. Rritjen më të konsiderueshme do ta kenë edhe mësuesit e ciklit fillor, ku paga mesatare e mësuesit në ciklin fillor me mbi 15 vite eksperiencë shkon nga 72 400 në 95 200 lekë”, theksoi Manastirliu.
Ministrja Manastriliu bëri të ditur se “rritja e pagave përfshin mësuesit në sistemin tonë arsimor edhe punonjësit e shërbimit psiko-social dhe oficerët e sigurisë në shkolla.
Duke rritue konsiderueshëm pagën për punonjësot socialë dhe psikologët ku paga mesatare e tyre shkon në 910 eruo, ndërsa paga e oficerëve të sigurisë ën shkolla shkon në 800 euro në muaj si pagë mesatare”.
“Përmirësime të tjera janë bërë edhe për sa i përket nivelit të pagesave për rritjen e kualifikimit të mësuesve ku do të kemi një dyfishim të pagesës për sa i përket shpërblimit për kualifikim për mësuesit e nivelit të kualifikimit që lidhen me dy kategoritë e para, mësuesi i kualifikuar dhe mësues specialist do të dyfishohet masa e shpërblimit dhe sa i përket mësuesit mjeshtër do të kemi një rritje me 50% të masës së shpërblimit duke afruar edhe vitet e përfitimit të kësaj kategorie në 3 vite, 8 vite dhe 15 vite”, tha Manastirliu.
Ministrja Manastirliu u shpreh se “rritja pagave është një politikë gjithëpërfshirëse për të gjithë punonjësit e sistemit arsimor dhe gjithashtu lidhet me rritjen e pagave të edukatoreve në kopsht, çerdhe në pushtetin lokal. Rritja e pagave vjen edhe si një premtim i mbajtur i kryeministrit Rama, i qeverisë shqiptare por ka një influencë të drejtpërdrejtë në motivimin e mësuesve, në përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies, në lartësimin e figurës së mësuesit, dhe do të ndikojë në rritjen e interesit të maturantëve për të zgjedhur degët mësuesisë , por edhe të atyre që kanë përfunduar këto degë dhe duan të përfshihen në sistemin arsimor si mësues”./ata