Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesën për vizitë në Kosovë nga drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Këshilltari për media në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Leutrim Sahiti, ka treguar për Anadolu se cilat janë arsyet në të cilat është mbështetur ky vendim i ekzekutivit kosovar.

"Ju informojmë që personit në fjalë i është refuzuar vizita në Kosovë, për shkak të shkeljes së marrëveshjes për vizitat e ndërsjella, deklaratat propaganduese dhe gjuhën e tij provokuese kundër Kosovës dhe qytetarëve të saj", ka thënë ai.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë tha të mërkurën se drejtorit të saj, Petar Petkoviq, i është ndaluar vizita në Kosovë për "të qenë pranë serbëve për festën e Vidovdanit".

"Që një vit e gjysmë, Petkoviqit është duke iu ndaluar udhëtimi në Kosovë dhe kremtimi i festave më të mëdha me serbët në Kosovë dhe mbështetja e tyre për shkak të ndalesave të jashtëligjshme nga Prishtina", thuhet në reagimin e kësaj zyre.

Serbët nga Kosova, Serbia dhe rajoni e festojnë Vidovdanin çdo 28 qershor në Gazimestan, rreth 10 kilometra afër Prishtinës, ku më herët në organizimet e tilla ka pasur arrestime për nxitje të urrejtjes fetare e kombëtare.

Vitin e kaluar, Vidovdani nuk u festua në Gazimestan, pasi Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe vendosën ta mbajnë atë në Manastirin e Graçanicës për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë në Kosovë./aa