Kryeministri Edi Rama theksoi sot se “Shqipëria ishte e 86 në klasifikim deri kur në vitin 2014 ne hodhëm hapin e parë serioz duke transformuar bazën tonë ligjore dhe sot nëse e klikoni do ta gjeni në vendin e 7 për sa i përket legjislacionit për të drejtën e informimit dhe transparencës”.
Në fjalën e tij në Konferencën e VI Kombëtare për të Drejtën e Informimit Rama tha se “dëshiroj që të përfitoj së pari për të vlerësuar me shumë respekt dhe mirënjohje punën e Komisionerit dhe të Zyrës së Komisionerit, e cila e ka nderuar Shqipërinë në procesin e negociatave për anëtarësim me BE-në kur Shqipëria iu nënshtrua një diagnozë shumë të thelluar nga ana e Komisionit Evropian, e cila njihet me emrin screening”.
“Ky moment i shkëlqimit të një institucioni të Republikës së Shqipërisë në atë proces dhe tërësia e procesit ku Shqipëria mori vlerësime jashtëzakonisht pozitive dhe surprizuese edhe për mua vetë, jo më për palën nga ana tjetër e tryezës që ishte Komisioni Evropian janë në një arsye shumë e fortë për të kuptuar se sa shumë më tepër mund të bëhet, por edhe për të pasur parasysh nga ana tjetër se forcat e nevojshme për të bërë gjërat që mund të bëhen ne i kemi sepse po të mos i kishim do të ishte e pamundur për Shqipërinë të dilte me aq shumë dinjitet dhe sukses në procesin e diagnostikimit nga ana e Komisionit Europian”, nënvizoi Rama.
“Shqipëria ishte e 86-ta në klasifikim, deri në 2014 kur ne hodhëm hapin e parë serioz, duke transformuar bazën tonë ligjore. Sot, nëse e klikoni, Shqipërinë do ta gjeni në vendin e shtatë sa i përket legjislacionit. Madje, Komisioneri që është nga Labëria dhe s’mund ta pranojë dot të jetë i shtati, nëse autobusi me 7 mund të jetë i vendosur paralelisht po më thoshte se disa ndryshime të reja që kemi bërë si dhe me ligjin e ri që kemi gati do të bëjnë që ne të ngjitemi edhe më lart”, tha Rama./ata