Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, në kuadër të interpelancës së kërkuar me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, tha sot se draftligji i nxjerrë për konsultim publik për shëndetin seksual dhe riprodhimin, godet gruan dhe familjen tradicionale, duke çelur shtigje për trafikun e paligjshëm të organeve.
Nga foltorja e Kuvendit, deputeti Shehu tha se draftligji paraqet uterusin, fetusin, si sende për tregti të lirë, duke e kthyer vendin në një fermë uterusesh për të prodhuar fëmijë.
“Ky pr/ligj dhe shfaqja butaforike në tarracën e Bashkisë së Tiranës, që ishte e paligjshme, janë goditje për gruan dhe familjen natyrale. Shteti s’mund të shpërndajë asnjëherë kot, pa shkaqe të tilla materiale, qoftë dhe në mënyrë informale. Ato shprehin një platformë politike, strategji”, tha Shehu.
“Dua të di qëndrimin tuaj zonja ministre mbi ato nene të hedhura në pr/ligj, pasi ato nene nuk janë hedhur si trakte ilegale pa konsensusin e Kryeministrit. Ato nene janë çështje kryesore për të sotmen dhe për të ardhmen e shoqërisë sonë, familjes shqiptare, gruas shqiptare”, tha Shehu.
“Unë dua të di, por dhe publiku, që ka reaguar me ndjeshmëri të madhe negative, se për se janë publikuar, qëllimet dhe sponsorët. Cili është qëndrimi juaj për uterusin me qira, që paraqitet si një formë tregtie e hapur në pr/ligj, duke e kthyer Shqipërinë në një treg ndërkombëtar të trafikut të organeve dhe fetuseve, duke e transformuar vendin në fermë uterusesh për të prodhuar fëmijë”, tha Shehu.
“Uterusi është organ i rëndësishëm biologjik, por në draftligj klasifikohet si kasafortë metalike me vlera monetare që përfaqësohen nga fetusi. A nuk është kjo një formë trafiku organesh për të cilat janë shumë të interesuara grupet kriminale të trafikut të organeve”, shtoi Shehu.
Sipas tij, projektligji është një diskriminim për gruan, për uterusin dhe për fetusin, që trajtohen si sende dhe gruan.
“Por, a e dini se kjo shkakton rëndesë psikologjike tek nëna dhe kur flas për nënën e kam për atë që e mban fëmijën 9 muaj në bark. Se birësimi surrogativ është një tjetër element që krijon problematika sociale, duke i hapur rrugë familjes artificiale, e cila vetë nuk mund të sjell jetë”, nënvizoi Shehu në fjalën e tij në Kuvend./ata