Në aksin rrugor Elbasan-Qafë Thanë, pjesë e Korridorit VIII po punohet paralelisht në disa lote, me qëllim avancimin e punimeve me ritme sa më të shpejta.

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se po vijon pa u ndalur puna për fazën e tretë në kantierin e këtij aksi, që lidhet me formimin e trupit të rrugës, ndërtimin e dy urave paralele në zonën e Murrashit si dhe ndërtimin e veprave të artit.

“I gjithë projekti Elbasan–Qafë Thanë, 50.12 km i gjatë, është një nga më të rëndësishmit në vend, me itinerar Durrës–Elbasan – Librazhd–Qafë Thanë, për të vazhduar më tej me lidhjen e Shqipërisë me Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë”, u shpreh Rama në një postim në rrjetet sociale.

Korridori i VIII është një nga akset rrugore më të rëndësishme për Republikën e Shqipërisë, pasi është një korridor që lidh Shqipërinë edhe me vendet e tjera të rajonit./ata