Shqipëria do të jetë vendi i nderit në panairin më të rëndësishëm të turizmit në botë për vitin 2025, ITB Berlin.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot në rrjetet sociale imazhet e Shqipërisë, të publikuara nga ITB Berlin.
“Imazhet e Shqipërisë Turistike janë publikuar nga ITB Berlin, panairi më i madh në botë i turizmit që do ta ketë Shqipërinë vendin e nderit për vitin 2025 përmes një programi promovimi që nisi me Vjosën, vazhdon me bregdetin e jugut e do të shtrihet në gjithë buqetën e madhe të ofertës sonë sepse e gjithë Shqipëria është turistike”, tha Kumbaro.
Në nëntor të vitit të kaluar Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe ITB Berlin nënshkruan marrëveshjen që shpalli Shqipërinë vend nderi të ITB Berlin 2025.
Kjo marrëveshje ka për qëllim fuqizimin e rolit të Shqipërisë jo vetëm në nivel pjesëmarrës, por në sipërmarrje aktive të organizimit të agjendave të nivelit të lartë të eventeve të rëndësishme globale siç është ITB Berlin, që promovojnë ndërkombëtarisht imazhin e Shqipërisë./ata