Qeveria shqiptare nisi raundin e parë të negociatave me Poloninë në fushën e sigurimeve shoqërore.
Lajmi bëhet me dije nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja.
Gonxhja informon se në datat 22-24 prill 2024 u zhvillua në Varshavë, në një atmosferë shumë bashkëpunuese, raundi i parë i negociatave për finalizimin e Marrëveshjes Kuadër në fushën e sigurimeve shoqërore.
Delegacioni shqiptar që drejtohej nga zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani u prit nga zëvendësministri i Familjes, Punës dhe Politikave Sociale, Sebastian Gajewski dhe nga ambasadorja e Shqipërisë në Varshavë, Mimoza Halimi.
Sipas Gonxhes, marrëveshja do iu sigurojë qytetarëve shqiptarë një sërë përfitimesh, si: pensionin e pleqërisë, invaliditetit dhe pensionet familjare për të punësuarit, të vetëpunësuarit, si dhe për punëdhënësit; përfitimet në para në rast sëmundje, për barrëlindjen dhe për rastet e aksidenteve në punë.
Gjithashtu, marrëveshja do të sigurojë bashkimin e periudhave kontributive, duke bërë që qytetarët të mos humbasin vitet e tyre të punës.
Raundi i dytë i negociatave për Marrëveshjen Administrative do të zhvillohet në Tiranë./ata