Në kazermën e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) "Adem Jashari" në Prishtinë është mbajtur ceremonia e diplomimit të 16 kadetëve të FSK-së, gjenerata 2024.

Në këtë ceremoni morën pjesë udhëheqës të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), pjesëtarë të Misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe familjarët e kadetëve të diplomuar.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci tha se kadetët janë baza mbi të cilën FSK-ja do të vazhdojë ndërtimin e saj strukturor dhe profesional. Ai tha se FSK-ja është në rrugën e zhvillimit të kapaciteteve të plota si ushtri profesionale.

"Me arritjen e objektivave në kuadër të planit gjithëpërfshirës, me rritjen në dy për qind të GDP-së për ushtrinë, me mbi 200 milionë investime në tri vitet e fundit dhe mbi 1.800 ushtarë e oficerë të rinj të rekrutuar, ushtria e Kosovës me ritme të shpejta po ec drejt zhvillimit me kapacitete të plota si ushtri profesionale dhe multietnike", theksoi Maqedonci.

Ai po ashtu shtoi se ushtarët e Kosovës marrin pjesë në misione të ndryshme jashtë vendit me ushtarë të vendeve partnere. Ceremonia e diplomimit përfundoi me marrjen e diplomave dhe betimin e 16 kadetëve, derisa familjet e kadetëve të cilët u takuan me kadetët në fund, përjetuan momente emocionuese.

FSK-ja është në proces të transformimit në ushtri, proces i cili nisi në vitin 2018 dhe pritet të zgjasë 10 vjet, deri më 2028.

Deri në vitin 2028, FSK-ja pritet t'i ketë mbi 7.500 pjesëtarë aktivë dhe rezervistë nga mbi 4.000 sa ka aktualisht, derisa FSK-ja pas vitit 2028 pritet të ketë edhe përgjegjësi shtesë në ruajtjen e sovranitetit e integritetit territorial si dhe në ofrimin e mbështetjes ushtarake për autoritetet civile./aa