Përfundoi të mërkurën faza e grupeve e Kampionatit Evropian të Futbollit 2024 (EURO 2024), i organizuar nga Gjermania, me 24 ekipe që garuan në gjashtë grupe me nga katër skuadra.

Në gjithsej 36 ndeshje u shënuan 81 gola dhe mesatarja e golave ​​të shënuar për ndeshje ishte 2,25.

 

- Güler lojtari më i ri që ka shënuar në debutimin në Euro, Modric më i moshuari

Talenti i ri turk Arda Güler u bë lojtari më i ri që shënoi në debutimin e tij në Kampionatin Evropian në moshën 19 vjeç e 114 ditë me golin e tij nga distanca kundër Gjeorgjisë në ndeshjen e parë të Grupit F.

Mesfushori kroat Luka Modric, i cili është lojtari me më shumë paraqitje për vendin e tij në historinë e Kampionatit Evropian me 16 ndeshje, u bë golashënuesi më i vjetër në historinë e këtij turneu me golin e tij kundër Italisë në moshën 38 vjeç e 289 ditë.

Modric ka luajtur për Kroacinë në EURO 2008, 2012, 2016, 2020 dhe 2024.

Lojtari shqiptar Nedim Bajrami ka shënuar golin më të shpejtë në histori të kompeticionit duke shënuar në sekondën e 23-të kundër Italisë në ndeshjen e parë të Grupit B.

Georges Mikautadze, sulmues nga kundërshtari i Türkiyes në Grupin F, Gjeorgjia, ishte golashënuesi më i mirë i fazës së grupeve me tri gola, dy prej të cilëve nga penalltia.

Gjermanët Jamal Musiala dhe Niclas Fullkrug, rumuni Razvan Marin, holandezi Cody Gakpo dhe sllovaku Ivan Schranz kanë shënuar nga dy gola.

 

- Ekipi mikpritës Gjermania me më shumë gola në fazën e grupeve

Skuadra me më shumë gola në fazën e grupeve ishte Gjermania nikoqire me tetë gola, e ndjekur nga Austria me gjashtë gola, ndërsa Türkiye, Portugalia, Spanja dhe Zvicra ishin gjithashtu golashënuesit më të mirë me nga pesë gola.

EURO 2024 do të vazhdojë të shtunën me ndeshjen e fazës së një të tetës së finales mes Zvicrës dhe Italisë.

Finalja do të mbahet më 14 korrik në Berlin./aa