Ministri saudit i Punëve të Jashtme, Faisal bin Farhan dhe homologu i tij iranian, Ali Bagheri, në një bisedë telefonike kanë diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe, zhvillimet rajonale dhe interesat e përbashkëta.
Ministria e Punëve të Jashtme e Arabisë Saudite, e cila njoftoi për bisedën telefonike, nuk dha detaje të tjera lidhur me përmbajtjen e bisedës telefonike.
Më 11 qershor, ministrat saudit dhe iranian u takuan në margjinat e samitit të BRICS-it në Rusi dhe diskutuan marrëdhëniet dypalëshe si dhe zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare, përfshirë situatën në Gaza dhe Rafah.
Në atë kohë, ministria saudite njoftoi se përpjekjet drejt stabilitetit ishin gjithashtu një pikë qendrore.
Të hënën e kaluar, Bagheri priti zv/ministrin saudit të Punëve të Jashtme, Waleed A. El Khereiji në Teheran gjatë Forumit të 19-të të Bashkëpunimit Aziatik.
Më parë, sipas mediave iraniane, Bagheri theksoi se marrëdhëniet iraniano-saudite po ecin në drejtimin e duhur, duke shprehur synimin serioz të të dy vendeve për të krijuar stabilitet gjatë kësaj periudhe kritike dhe të ndjeshme.
Më 10 mars të vitit 2023, Arabia Saudite dhe Irani njoftuan rifillimin e marrëdhënieve diplomatike pas bisedimeve të ndihmuara nga Kina në Pekini.
Arabia Saudite ndërpreu marrëdhëniet me Iranin në vitin 2016 pas sulmeve ndaj ambasadës së saj në Teheran dhe konsullatës në Mashhad (Irani lindor), duke çuar në një ndërprerje diplomatike midis dy vendeve.
Vendimi ishte në shenjë proteste ndaj ekzekutimit të klerikut shiit saudit Nimr al-Nimr, i cili u përball me akuza "të lidhura me terrorizmin"./aa