Policia e Kosovës ka konfiskuar në Komunën e Zveçanit sasi të konsiderueshme të armatimit i cili dyshohet se ka mbetur pas sulmit të 24 shtatorit i cili ndodhi në fshatin Bansjkë të Komunës së Zveçanit.
Në një konferencë të jashtëzakonshme për media të ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Gazmend Hoxha, u bë e ditur se Policia e Kosovës siguroi informacion për vendin e ndodhjes së armëve në veri nga qytetarët dhe nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI).
Ministri Sveçla tha se grupe terroriste me këto armë kanë planifikuar sulme ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës, duke filluar nga policia, por pa kursyer edhe të tjerët.
“Ky arsenal armësh është mbetje e armatimit të grupeve terroriste të udhëhequra nga Milan Radoiçiqi e të financuara, dirigjuara dhe mbështetura nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Është depoja e pestë brenda vitit që ne kemi zbuluar dhe është edhe një dëshmi e përfshirjes direkte të Serbisë në tendencën për destabilizim të Republikës së Kosovës me qëllim të riokupimit të saj”, theksoi Sveçla.
Drejtori i Policisë, Hoxha, tha se tashmë është ndaluar një person, ish-zyrtar i Policisë së Kosovës, pasi dyshohet se është i lidhur me armët, të cilat u gjetën afër shtëpisë së tij.
“Operacioni u zhvillua pranë Urës së Hekurt dhe rezultoi me zbulimin e armatimit të rëndë dhe pajisjeve ushtarake të fshehura, të cilat dyshohet se kishin për qëllim të sulmonin institucionet e sigurisë të Kosovës dhe të trazonin qetësinë në rajon”, deklaroi Hoxha.
Hoxha tha se në mesin e pajisjeve të konfiskuara janë rreth 1 mijë e 500 municione, 10 armë të gjata, 62 shok-bomba, eksplozivë, radio-lidhje, karikatorë të mbushur e të zbrazët, dhe një uniformë e ushtrisë serbe.
Në shtator të vitit 2023 një grup i armatosur serb sulmoi pjesëtarë të Policisë së Kosovës, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, dhe në shkëmbim e sipër të zjarrit u vranë tre sulmues.
Përgjegjësinë për sulmin në Bansjka e ka marrë ish-nënkryetari i partisë serbe në Kosovë, Listës Serbe, Millan Radoiçiq./aa