Kreu i demokratëve euroatlantikë, Lulzim Basha, në emisionin “Ekspres” në RTSH u shpreh se, “Sali Berisha vuri fatin e vet mbi fatin e demokratëve, që nisi këtë luftë të panevojshme, me pasoja shkatërruese për efektivitetin e opozitës dhe besueshmërinë e opozitës”.
Sipas tij, “Berisha për të mbajtur vulën ka shitur ‘ndeshjen’ e 2025-ës me Ramën”.
“Të thërrasësh në protestë dhe të vijnë më pak protestues sesa policë, tregon degradim të opozitës. Dhe përgjegjësitë për këtë janë të qarta, janë të Sali Berishës që vuri fatin e vet mbi fatin e demokratëve, që nisi këtë luftë të panevojshme, me pasoja shkatërruese për efektivitetin e opozitës dhe besueshmërinë e opozitës. Dhe që i zgjat, i dha një mandat të qetë qeverisjes më të korruptuar që ka pasur Shqipëria, një nga qeverisjet më të korruptuara të planetit. Dhe ndërkohë qartësisht një pazar për të mbajtur vulën, dëshiron t’i jap sërish pushtetin Edi Ramës në vitin 2025. Shqipëria nuk e meriton këtë, shqiptarët nuk e meritojnë këtë. Nuk mund të mbeten në qerthullin e kryeministrit dhe ish- kryeministrit, figura që kanë 34 vite që dominojnë tranzicionin shqiptar”, tha Basha.
Basha gjithashtu tha se, “hapi i radhës i bashkëpunimit Rama-Berisha, është të pengojnë punën e SPAK-ut”.
Basha shtoi se, “pazarxhinjtë duan të largojnë nga Kodi Penal vepra të tilla si “shpërdorimi i detyrës”, të kufizojnë mundësitë e SPAK për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë”.
“Shqipëria meriton më shumë, ndaj programi jonë vjen me taksën e ulët, vjen me ndihmë për rininë shqiptare që të punësohet këtu me paga dinjitoze, vjen me luftë pa kompromis kundër korrupsionit, mbështetje pa kompromis për SPAK që t’i shkojë deri në fund çdo politikani të korruptuar. Pasurive të çdo politikani përmes ligjit tonë për vetting-un e politikanëve.
Tani po bëhen gati t’i vënë minat SPAK-ut. Hapi tjetër që shpërfaq dhe përmbledh dhe interesin e përbashkët të të dyve është të godasin SPAK-un, të largojnë nga Kodi Penal vepra të tilla si “shpërdorimi i detyrës”, të kufizojnë mundësitë e SPAK për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë”, u shpreh Basha.
Kreu i demokratëve euroatlantikë, Basha tha se, ndryshimet kushtetuese të 2008-ës duhen shfuqizuar, pasi e kanë kthyer Shqipërinë në republikë kryeministrore.
Sipas Bashës, Rama dhe Berisha po veprojnë në vazhdim të asaj marrëveshjeje, pasojat e të cilës janë korrupsioni dhe shpopullimi.
“Propozimet për listat e hapura, votën e diasporës, numërimin elektronik, barazinë e votës dhe Shqipëria një zonë, të depozituara në Kuvend nga demokratët euroatlantikë, janë ndryshime që i duhen vendit”, tha ai.
“Ne kemi çuar në parlament propozimet tona për Kodin Zgjedhor. Dhe këto propozime, siç i di tashmë mbarë Shqipëria, janë 4: listat e hapura, pra ta zgjedhi qytetari deputetin, jo kryetari i partisë. Së dyti, votimi dhe numërimi elektronik, sepse shmang shumë problematika dhe shumë manipulime të zgjedhjeve të kaluara nga qeveria. Së treti, barazia e votës, sepse sot një deputet në Vlorë zgjidhet me 8500 vota, por në Kukës me 13 500 vota dhe kjo nuk është barazi vote. Shqipëria një zonë elektorale, është ajo që ne kemi propozuar. Dhe e katërta, që e kemi çuar qartësisht se si duhet bërë, është vota e diasporës. Me Shqipërinë një zonë elektorale, me votimin elektronik, me listat e hapura, diaspora e ka fare të lehtë, shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë e kanë fare të lehtë të hedhin votën e tyre. Pra, propozimet tona janë aty. Në qoftë se këto propozime vijnë debatohen, diskutohen, pa diskutim na duhet vota e çdokujt, edhe e socialistëve për t’i kaluar. Fatkeqësisht duhet ta them, nga ky moment ku jemi sot duket qartë pjesë e pazarit është që të mbahet në fuqi Kodi Zgjedhor dhe ndryshimet kushtetuese të 2008-ës”, u shpreh Basha.
“Prandaj dua ta them edhe sot këtu, nuk kam hequr dorë nga ajo që kam shpallur edhe para vetë zotit Berisha në mbledhje të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike që para disa vitesh, për shfuqizimin, hedhjen poshtë të ndryshimeve famëkeqe të Kushtetutës në vitin 2008, që i vunë minat një republike me potencial demokratik dhe krijuan republikën kryeministrore. Ja ku janë pasojat: korrupsion, emigracion, shpopullim dhe një rini, e cila nuk e gjen veten në Shqipëri. Ky është shqetësimi ynë kryesor”, theksoi ai.
Basha, duke folur për vendimin e vulës, tha se do t’i drejtohet Gjykatës së Lartë për rekurs, pasi e konsideron padrejtësi atë që ndodhi me vendimin e Gjykatës së Apelit.
Basha deklaroi se, për të vënë drejtësi do të shkojë deri në Gjykatën e Strasburgut.
“Ndaj do të shkojmë në rekurs në Gjykatën e Lartë, po të jetë nevojshme do të shkojmë deri në Strasburg”, tha ai./ata