Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se të gjitha titujt e pronësisë që shpërndahen janë bazë për të ndërtuar një ekonomi familjare.

Gjatë dorëzimit të 789 titujve të pronësisë në Dhërmi, Rama solli në vëmendje rritjen e numrit të turistëve.

“Se është rritur numri i turistëve, ashtu sikundër pak kush mund ta imagjinonte. 10 milionë turistë u arrit vjet, sivjet mund të shkojë 12, mund të shkojë 13, çdo muaj është më shumë sesa vjet, por nuk ndodh kjo rastësisht. Kjo ndodh sepse turistët që vijnë në këtë zonë gjejnë arsye për të ardhur. Jo vetëm tek deti se deti aty ishte, as te dielli se dhe dielli ka dalë çdo ditë që kur është krijuar bota edhe këtu. As te malet se aty kanë qenë, por tek kënaqësia që marrin duke ardhur këtu dhe do të rritet më shumë edhe vlera e pronës, dhe do të rritet më shumë edhe numri i turistëve që do të vijnë dhe patjetër do të rriten dhe më shumë të ardhurat e familjeve këtu që jetojnë me turizmin, nuk diskutohet”, u shpreh Rama.

Rama tha se shtëpitë e vjetra janë asete dhe do të jenë edhe bujtinat më të kërkuara nga turistët.

“Për këtë arsye shtëpitë e vjetra janë baza sepse shtëpitë e vjetra, ato që janë ndërtuar nga gjyshërit dhe stërgjyshit tanë këtu se unë kam hequr dorë nga të gjitha pronat e mundshme dhe të imagjinueshme që mund të kisha dhe unë pjesën time këtu si një nga pasardhësit e bregut, janë asete që edhe aq, pa i prekur fare se s’mund të prekesh Dhërmiun e vjetër e të fillosh t’i prishësh këto, se është e paimagjinueshme por ama të gjitha këto janë bujtina që do të jenë gjithmonë e më të kërkuara”, shtoi ai.

Ndaj, Rama theksoi se “të gjitha këto shtëpi që ne shpërndajmë janë bazë për të ndërtuar një ekonomi plus sepse vërtet sot mund të përdoren, por përdoren pa pasur mundësi të marrësh kredi me atë shtëpi se nuk ke çfarë i tregon bankës, se nuk ke letra”.

“Sot duke pasur certifikatën mund të shkosh në bankë dhe të marrësh një kredi dhe mund ta bësh shumë më mikpritëse shtëpinë nga pikëpamja e gjithë mjediseve, duke bërë riparime, duke bërë mobilim e të tjera, e këto të gjitha çojnë ujë tek ekonomia e familjeve himarjote”, shtoi Rama./ata