Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve i ka dhënë fund qëndrimit bllokues të opozitës në seancat plenare dhe komisionet parlamentare duke arritur dakordësi për vijimin e punës me ngritjen e 2 komisioneve hetimore të kërkuara nga opozita.

Komisionet që pritet të ngrihen janë komisioni hetimor për kontratat koncesionare në shëndetësi dhe komisioni hetimor për ndërhyrjen e paligjshme në sistemin TIMS.

Në Konferencën e Kryetarëve është rënë dakord që opozita do të ushtrojë të drejtën për ngritjen e Komisioneve Hetimore, duke filluar në këtë sesion parlamentar me ngritjen e dy komisioneve hetimore që u rrëzuan më 12 tetor të vitit të kaluar.

Konferenca e Kryetarëve ka arritur gjithashtu dakordësi në parim për një tjetër çështje që shkaktoi bllokimin e veprimtarisë normale të Kuvendit, që ishte përfaqësimi i opozitës në proceset e reformave.

Palët kanë rënë dakort në parim që Kuvendi të ngrejë një “Nënkomision për Reformat”, që përbëhet nga 4 anëtarë (2 nga mazhoranca – 2 nga grupi parlamentar i PD).

Nënkomisioni është përgjegjës për diskutimin/shqyrtimin e paketave ligjore, reformave dhe ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar apo ligjeve që kërkojnë gjithëpërfshirje, përfshirë ligjet që janë të nevojshme për procesin e integrimit europian.

Komisioni merr vendimet me konsensusin e të gjithë anëtarëve (veto) dhe më pas i kalon aktet e dakordësuara për shqyrtim/miratim në seancë plenare./ata