Mjekë të cilët këtë vit nisin specializimin 4-vjeçar në mjekësi, kanë nënshkruar kontratat dypalëshe me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për të shërbyer pranë strukturave spitalore.

Në fjalën e saj, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu i cilësoi si garancinë dhe forcën kryesore për të larguar hijet e shëmtuara në trupën shëndetësore.

“Një takim me brezin e mjekëve të rinj është gjithmonë frymëzues. Në sytë e tyre shkëlqen shpresa, në duart e tyre pulson energjia, dhe në mendjet e tyre ndriçon zgjuarsia. Ata kanë zgjedhur Shqipërinë për të kontribuar në profesionin fisnik të mjekut”, u shpreh Koçiu.

Ministrja nënvizoi se “këta mjekë të rinj janë garancia dhe forca kryesore për të larguar me çiltërsinë e shpirtit të tyre dhe bardhësinë e bluzave të bardha që do të veshin nesër, hijet e shëmtuara që nuk mund dhe nuk do të munden kurrsesi të zhbëjnë atë punë, kontribut dhe sakrificë të jashtëzakonshme profesionale dhe dinjitoze që paraardhësit e tyre kanë dhënë dhe japin në çdo fushë të shëndetësisë në shërbim të qytetarëve dhe qëllimit madhor të shpëtimit dhe mbrojtjes së jetës së tyre”.

“Ata janë kura më e mirë për të shfarosur çdo metastazë parazite në armatën e madhe të trupës shëndetësore, ku nderi dhe dinjiteti ka udhëhequr këtë mision nga emra të shquar të mjekësisë shqiptare”, u shpreh ajo.

Koçiu garantoi se “Punë dhe nder” do të jetë deviza e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, duke u përpjekur për të mbështetur dhe për të inkurajuar këta profesionistë të rinj në rrugën e tyre të gjatë dhe fisnike.

“Sot është një ditë shumë e mirë për të gjithë ju, një ditë për të festuar sepse nisni një rrugëtim ndryshe. Keni përfunduar studimet kryesore, tashmë merrni një profil të caktuar, por dita e somte vjen ndryshe. Vjen me një kontratë 3-vjeçare e cila në fund ju garanton një punësim të sigurt dhe gjatë kësaj periudhe edhe një pagë që do të thoja është e konsiderueshme. Është 80% e pagës që ju do të merrni pas përfundimit të kësaj praktike profesionale. Besoj se gjithë merita është e juaja, është falë dedikimit dhe energjisë që keni dhënë për të arritur këtu ku jeni sot”, u shpreh Koçiu.

Ajo u bëri thirrje mjekëve të rinj të mos harrojnë që një profesionist i mirë në thelb duhet të jetë një njeri i mirë.

“Sidomos tek ju, tek profesioni i mjekut, të jesh njeri i mirë do të thotë të jesh humanist, altruist, të jesh përtej interesit personal, të shikosh dhe prevalosh te interesi i përgjithshëm, tek interesi publik. Keni peshën e përgjegjësisë shumë të madhe mbi supe, përveçse shpëtimit të jetës së njerëzve, edhe për t’u bërë modele të mirë të qytetarëve tëk mirë të këtij vendi. Dua t’ju shpreh edhe njëherë gatishmërinë e Ministrisë së Shëndetësisë për t’ju qenë në krah dhe për të qenë së bashku bashkëudhëtarë në rrugëtimin tuaj në shërbim të qytetarëve”, tha Koçiu./ata