Rastet e racizmit në Francë u rritën me 32 për qind në vitin 2023, sipas një raporti të komisionit për të drejtat e njeriut.
Toleranca për të gjitha grupet minoritare në Francë ra në vitin 2023, veçanërisht për komunitetin hebre, ndërsa muslimanët janë grupi më pak i toleruar, tha në një raport të enjten Komisioni Konsultativ Kombëtar Francez për të Drejtat e Njeriut (CNCDH).
Rastet e racizmit janë rritur me 32 për qind në vitin 2023 sipas Ministrisë së Brendshme, shtoi raporti, kurse rritja më e madhe është vënë re në rastet raciste antisemitike, të cilat ishin në 284 për qind.
Shifrat mund të kenë faktorë të shumtë, duke përfshirë sulmet izraelite në Rripin e Gazës që nga 7 tetori dhe debatet polarizuese mbi azilin dhe migracionin, shtoi CNCDH-ja, duke vënë në dukje se 1 milion njerëz i janë nënshtruar të paktën një sulmi racist në vitin 2023, sipas shifrave të zyrës statistikore.
Më shumë se gjysma e francezëve, 51 për qind, konsiderojnë se “nuk ndihen më si në shtëpi në Francë”, një rritje prej tetë pikësh krahasuar me pranverën e vitit 2022, thuhet në raport. Ai tha se 56 për qind e francezëve, shtatë pikë më shumë se në pranverën e vitit 2022, konfirmojnë se ka “shumë imigrantë në Francë”.
Shifrat pasqyrojnë kontekstin e fundit në atmosferën politike dhe sociale, me ngritjen e partisë së ekstremit të djathtë Tubimi Kombëtar (RN), e cila mori më shumë se 30 për qind të votave në zgjedhjet e Parlamentit Evropian në qershor.
Fitorja e RN-së e shtyu presidentin francez Emmanuel Macron të pranojë humbjen e bllokut të tij qendror, të shpërndajë parlamentin dhe të shpallë zgjedhje të parakohshme.
Udhëheqësi i RN-së Jordan Bardella tha se partia do të fokusohet në migracionin, duke theksuar se problemi po vendos një “peshë të padurueshme” mbi “financat publike dhe sistemin e sigurimeve shoqërore”.
Ai u zotua të frenojë migrimin në Francë, t’i japë fund të drejtës së shtetësisë nga lindja, të zbatojë ndryshime ligjore për ta bërë më të lehtë dëbimin e të huajve të dënuar për krime dhe të marrë masa për të adresuar çështjet ekonomike.
Zgjedhjet do të mbahen në dy raunde, i pari më 30 qershor dhe i dyti më 7 korrik./aa