Mijëra izraelitë protestuan të shtunën në disa qytete, përfshirë Tel Avivin, duke kërkuar një marrëveshje për shkëmbimin e pengjeve me fraksionet palestineze dhe zgjedhje të parakohshme.
“Mijëra njerëz filluan të mblidhen në sheshin Kaplan në qendër të Tel Avivit për të marrë pjesë në një demonstratë qendrore të organizuar çdo javë për të kërkuar një marrëveshje për shkëmbimin e pengjeve dhe zgjedhje të parakohshme”, njoftoi Autoriteti Shtetëror izraelit i Transmetimeve.
Mijëra izraelitë demonstruan gjithashtu në kryqëzimin Karkur në Izraelin verior dhe në qytetin Rehovot pranë Tel Avivit si pjesë e protestave kundër qeverisë së kryeministrit Benjamin Netanyahu, duke kërkuar një marrëveshje për shkëmbimin e pengjeve, sipas të përditshmes izraelite Yedioth Ahronoth.
Në kryqëzimin Karkur, protestuesit mbanin një pankartë ku shkruhej: “Netanyahu nuk dëshiron që lufta të përfundojë dhe pengjet të kthehen” dhe brohoritën: “Ne kemi nevojë për udhëheqje të re... Zgjedhjet tani”.
Mijëra njerëz protestuan gjithashtu para rezidencës së Netanyahut në Cezare, duke kërkuar zgjedhje të parakohshme. Protestuesit kërkuan gjithashtu një marrëveshje “të menjëhershme” për lirimin e pengjeve të mbajtur në Gaza, raportoi Yedioth Ahronoth.
Të dielën e kaluar, Netanyahu tha se ai është gati vetëm për një marrëveshje “të pjesshme” për të tërhequr disa pengje izraelitë të mbajtur në Rripin e Gazës.
Netanyahu u tërhoq nga deklaratat e tij të hënën, duke pretenduar se ai është i përkushtuar ndaj propozimit për armëpushim në Gaza të mbështetur nga presidenti amerikan Joe Biden.
Izraeli “nuk do ta përfundojë luftën derisa të kthejmë të gjithë pengjet (...) ne nuk do ta përfundojmë luftën derisa të eliminojmë Hamasin dhe t’i kthejmë banorët e jugut të sigurt në shtëpitë e tyre”, tha Netanyahu në Knesset (parlamenti i Izraelit).
Izraeli vlerëson se rreth 120 izraelitë mbahen nga Hamasi në Gaza.
Bisedimet indirekte midis Izraelit dhe Hamasit të ndërmjetësuara nga SHBA-ja, Katari dhe Egjipti deri më tani nuk kanë arritur ndonjë rezultat për një armëpushim të përhershëm që mundëson shkëmbim të të burgosurve midis izraelitëve dhe palestinezëve.
Duke shpërfillur një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon armëpushim të menjëhershëm, Izraeli është përballur me reagime ndërkombëtare për shkak të ofensivës së tij brutale në Gaza që nga një sulm i 7 tetorit 2023 nga Hamasi.
Më shumë se 37.800 palestinezë janë vrarë që atëherë në Gaza, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, dhe më shumë se 86.800 të tjerë janë plagosur, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.
Pothuajse nëntë muaj pas fillimit të luftës izraelite, pjesë të mëdha të Gazës janë në gërmadha, krahas një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në vendimin e saj të fundit urdhëroi Tel Avivin të ndalonte menjëherë operacionin e tij në Rafah, ku mbi një milion palestinezë kishin kërkuar strehim nga lufta përpara se të pushtohej më 6 maj./aa