Kryeministri Edi Rama iu drejtua sot mjekëve të QSUT-së se, të gjitha zhvillimet infrastrukturore në shëndetësi janë bërë me paratë e njerëzve që i drejtohen këtij institucioni shëndetësor për ndihmë.

Në një takim me drejtuesit e shërbimeve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Rama u shpreh se, “aty ku 10 vite më parë kishim një kompleks që dergjej si i sëmuri më i pashpresë i Tiranës, ne kemi sot një qendër spitalore funksionale, e cila ka padiskutim ende probleme”.

“Nuk është qëllimi im sot që të fokusohem te ndërhyrja masive e 10 viteve të fundit për transformimin e kësaj qendre. Por ama, na duhet kthimi i kokës pas në kohën kur aparaturat dhe pajisjet mjekësore mungonin thuajse krejt, kur barnat  nuk e mbërrinin pragun e farmacisë, që ishte katandisur në një magazinë bosh, kur ky spital ishte i pushtuar i gjithi nga një treg mallrash shumice në të gjitha hapësirat mes godinave dhe mjediset e brendshme dukshin si ato stacionet e vjetra ku njerëzit prisnin trenin mes rrëmujës, mes pisllëkut”, tha Rama.

“Na duhet ky kthim koke për të kuptuar se e gjithë puna kolosale e kësaj dekade falë investimit dhe taksave të shqiptarëve për shëndetin e tyre, kërkon mbrapsht nga ju dhe askush tjetër përmes kësaj qendre, një shërbim të denjë në çdo komponent të saj”, shtoi Rama.

“Vetëm këtu janë investuar në totalin e vet, 100 milionë euro në këto vite dhe sot pagat tuaja janë shumë më të larta sesa ishin, ndërsa kushtet e punës janë pakrahasimisht më të mira”, theksoi Rama.

Rama vuri në dukje se mjekët kanë sot në dispozicion një spital të ri qendror të Sëmundjeve të Brendshme, ndërtuar nga themelet me 345 shtretër, me një staf prej 612 mjekësh, infermierësh, teknikësh, koordinatorësh. me pajisje të reja për 14 shërbime klinike, si dhe shërbim urgjence polivalente, imazheri dhe mjekësi nukleare së bashku me gjithë mjekësinë moderne të rehabilitimit fizik.

Ai po ashtu solli në vëmendje se në spitalin e ri kirurgjikal “Frederik Shiroka” me 120 shtretër, 7 salla operatore, reanimacion të dedikuar, janë shërbyer 30 mijë pacientë dhe është zvogëluar me dy herë ditëqëndrimi.

“Instrumentet e reja, sterilizimi i tyre, veshjet njëpërdorimshe, sterilizimi i sallave të operacionit në fund të çdo dite janë të tëra risi që i kanë ulur ndjeshëm, e kanë bërë jetën tuaj profesionale shumë më kuptimplotë. Kanë shkurtuar kohën e operacioneve. Kanë përmirësuar trajtimet kirurgjikale e pa diskutim dhe e kanë rritur numrin e ndërhyrjeve në 25 mijë në vit”, tha Rama.

“Spitali i ri Pediatrik, me një urgjencë të re pediatrike, me reanimacion pediatrik, me struktura sipas moshave, me bllok operator, me 3 salla, mjedise cilësore, para dhe post operatore, ka ofruar 131 mijë shërbime për pacientët e vegjël”, u shpreh Rama.

“Qendra e konsultave ambulatore me kushtet optimale për pritjen dhe trajtimin sa më dinjitoz të pacientëve, me një sistem rezervimi online dhe telefonik për planifikimin që lehtëson ndjeshëm aksesin për shërbimin ambulator, sot tanimë e përdorin të gjithë dhe janë kanë parë edhe dobinë”, theksoi Rama.

Ai solli në kujtesë spitalin e ri Infektiv me kapacitet 118 shtretër, dyfish kapacitete të reanimacionit dhe shërbimit të urgjencës, spitalin e ti të Pediatrisë së Përgjithshme me 120 shtretër që është drejt përfundimit për të garantuar shërbimet cilësore për të gjithë ata komponentë që mbulon.

“Po përfundon ndërtimi i spitalit ditor me 60 shtretër, me një strukturë të re për hemodializën, toksikologjinë, hematologjinë dhe sëmnudje të tjera që trajtohen ambulatorisht. Do të përfundojë ndërtimi i spitalit të Angilogjisë-Kardiologjisë me kapacitet prej 80 shtretër, 3 salla operatore, ku pritet të kryhen 2 mijë ndërhyrje në vit”, u shpreh Rama.

“Të gjitha këto janë bërë me paratë e atyre njerëzve që vijnë të kërkojnë këtu përkujdesjen tuaj, nuk janë bërë me paratë tuaja, nuk janë bërë me paratë e mia. Ata që vijnë këtu për t’u vizituar apo për t’u shtruar e kanë bërë të tyren për ju. Të gjitha këto janë të atyre. Pa ata do ishit akoma tek ai pazari që përmenda më lart dhe që ju, pjesa më e madhe e keni jetuar me vite të tëra, të poshtëruar në çdo lloj merite profesionale dhe e keni mbajtur këtë qendër vetëm me atë frymën e trashëguar nga Besim Elezi dhe nga profesorët tuaj”, iu drejtua Rama-mjekëve./ata