Kryeministri Edi Rama, tha të hënën se një grup i huaj ekspertësh do të asistojë drejtuesit e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, për të jetësuar sa më shpejt autonominë spitalore, e cila do të sjellë shpërblimin e mjekëve sipas performancës.

Deklarata e kreut të qeverisë, u artikulua gjatë një takimi me drejtuesit e shërbimeve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, të cilën Rama e mbajti pas ngjarjes së ndodhur tek Onkologjiku.

“Historia e shefave të departamenteve dhe e drejtuesve të spitaleve që i shërbejnë edhe sistemit publik dhe janë në punë edhe në shërbimin privat, është një histori që e dimë shumë mirë nga vjen. Vjen nga vetë historia e kalimit nga një sistem shëndetësor i centralizuar i të shkuarës, në një sistem shëndetësor, ku hyri në mes kapitalizmi dhe nga mungesa e çdo baze kapaciteti, çdo baze për të ndërtuar një sistem autonomie spitalore, që i garanton të gjithë profesionistëve, të gjithë mjekëve profesionistë, që të mund të shpërblehen përtej tavaneve të së njëjtës pagë në bazë të performancës së tyre”, tha Rama.

“Ne do të angazhojmë shumë shpejt dhe një grup menaxherësh të huaj të strukturave spitalore publike për të asistuar nga afër drejtuesen e re të QSUT dhe të spitaleve të kësaj qendre në mënyrë që të garantojmë sa më mirë dhe hapjen së shpejti të kapitullit të shumëpritur dhe domosdoshëm të autonomisë spitalore”, tha Rama ndërsa theksoi se autonomia  do t’i japë QSUT fleksibilitetin për t’i shpërblyer profesionistët e vet sipas meritës dhe jo më, thjesht me ato tavanet e njëjta”, nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë nënvizoi se ngjarja tek Onkologjiku apo historia e “Tixhes”, nuk e zhbëjnë dot punën e realizuar për transformimin e infrastrukturës dhe sistemit shëndetësor në vend.

“Por, nëse ka një shembull kuptimplotë të të gjithë kësaj përpjekjeje është kantieri i transformimit rrënjësor të QSUNT në dekadën e fundit”, vijoi Rama.

Kryeministri tha se transformimi i QSUNT nga vatër e rrezikshme infeksioni nuk mund dot të shihet me filtrin e errët të individëve nga ngjarja e Onkologjikut./ata