Kryeministri Edi Rama hodhi poshtë lajmet se Rruga e Arbrit do të jetë me pagesë.

Në ceremoninë e hapjes së aksit rrugor Thumanë-Kashar, pjesë e Korridorit Blu, Rama bëri të ditur sot se Rruga e Arbrit do të jetë pa pagesë për kalimin mjeteve.

“Kam parë që është shpërndarë një lajm që rruga e Arbrit do të jetë me pagesë. Jo! Nuk do të ketë pagesë për rrugën e Arbrit”, deklaroi kryeministri.

Rama deklaroi se edhe tuneli i Murrizit parashikohet të përfundojë në fund të këtij viti.

“Tuneli i Murrizit është luftë me gjeologjinë. Nëse filloi e mbaroi më shpejt tuneli i Llogorasë, kjo ndodhi vetëm për shkak të gjeologjisë. Ne parashikojmë përfundimin e tunelit para fundit të këtij viti dhe të gjithë dibranët do të mund të mblidhen në Sofrën Dibrane atje”, u shpreh Kryeministri.

Rruga e Arbrit shkurton ndjeshëm distancën mes Dibrës dhe kryeqytetit, duke e bërë të përshkueshme në një hark kohor prej vetëm 47 minutash, nga 1 orë e 20 minuta që bëhet sot ose nga 4 orë që bëhej deri dje. Ndërkohë që lehtëson transportin e qytetarëve dhe krijon më shumë aksesueshmëri për daljen në treg të produkteve të zonës.

Por jo vetëm. Rruga është spektakolare për faktin se kalon përmes një natyre të mrekullueshme, që deri më sot ishte tërësisht e padukshme për shkak të izolimit./ata