Ministri izraelit i Financave i ekstremit të djathtë, Bezalel Smotrich, ka kërcënuar se do të krijojë një vendbanim të ri në këmbim të çdo vendi që do të njohë Palestinën si shtet.

“Për çdo vend që njeh në mënyrë të njëanshme një shtet palestinez, ne do të krijojmë një qytet (vendbanim) të ri dhe kështu do të sjellim fundin e idesë deluzionare të krijimit të një shteti palestinez që do të rrezikojë ekzistencën e shtetit të Izraelit”, tha Smotrich në një konferencë për media.

Siç raporton e përditshmja izraelite Haaretz, Smotrich, i cili kryeson partinë ekstremiste të Sionizmit Fetar, tha se vendimi i javës së kaluar për legalizimin e pesë posteve të vendbanimeve ishte “një përgjigje ndaj njohjes së njëanshme të pesë vendeve” të Palestinës si shtet.

Javën e kaluar, kabineti izraelit miratoi hapat e propozuara nga Smotrich që synonin “legalizimin” e pesë posteve të vendbanimeve në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Në dy muajt e fundit, Spanja, Irlanda, Norvegjia, Sllovenia dhe Armenia e njohën Palestinën si shtet, një veprim që zemëroi Tel Avivin, i cili u zotua se do të marrë masa kundër këtyre vendeve.

Smotrich gjithashtu u zotua se do të heq shtetin palestinez jashtë agjendës duke krijuar fakte në terren dhe duke zbatuar atë që ai e quajti sovranitetin e Izraelit mbi Bregun Perëndimor.

Postet e vendbanimeve janë komunitete të vogla të krijuara nga kolonët e paligjshëm izraelitë në tokën palestineze në pronësi private pa miratimin e qeverisë izraelite.

Sipas ligjit ndërkombëtar, të gjitha vendbanimet hebraike në territoret e pushtuara konsiderohen të paligjshme./aa