Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim kryetaren e Kuvendit Kombëtar të Sllovenisë, Urška Klakočar Zupančič.

Në takimin që u mbajt me dyer të mbyllura, sipas Presidencës së Kosovës u diskutua për rëndësinë e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, duke konfirmuar gatishmërinë për avancimin e mëtejshëm të tyre.

Gjatë takimit, presidentja Osmani shprehu vlerësimin e thellë për mbështetjen e palëkundur të Sllovenisë në rrugën e Kosovës për liri, pavarësi dhe shtetndërtim.

"Sllovenia dhe Kosova kanë një lidhje të fortë dhe ne jemi të përkushtuar të punojmë së bashku për t’i adresuar sfidat e përbashkëta dhe për të shfrytëzuar mundësitë e shumta për bashkëpunim. Përmes bashkëpunimit, ne mund t’i arrijmë qëllimet tona të përbashkëta dhe të kontribuojmë në ruajtjen e stabilitetit dhe prosperitetit në rajonin tonë dhe përtej”, theksoi Osmani.

Presidentja Osmani theksoi se synimi i politikës së jashtme të Kosovës mbetet i fokusuar në forcimin e pozitës ndërkombëtare dhe anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, me ç’rast potencoi edhe rolin e rëndësishëm të diplomacisë parlamentare.

Në këtë linjë, Osmani shtroi nevojën e vazhdimit të mbështetjes sllovene për anëtarësim në BE, NATO, sikurse edhe në organizata ndërkombëtare.

U diskutua edhe për rëndësinë e bashkëpunimit ndërparlamentar të grupeve të miqësisë ndërmjet dy parlamenteve dhe shkëmbimit reciprok të përvojave.

Diskutimet u fokusuan edhe në një gamë të gjerë temash, si rritja e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, teknologjisë informative, fuqizimin e grave dhe të rinjve, etj./aa