Qendra “MediaLook” dhe profili i drejtuesit të saj, Elvin Luku kanë qenë target i sulmeve në hapësirën kibernetike, të cilat kanë rezultuar në mbylljen e profilit personal të ekspertit të medias në Facebook.

Sipas Lukut, këto sulme të organizuara tashmë vijojnë prej tre muajsh.

“Qendra MediaLook dhe portali online i saj është përballur me një seri sulmesh online, që vijojnë prej muajit Prill, aq sa sot është mbyllur profili im personal i Facebook, nga ku menaxhohen postimet në llogarinë e MediaLook dhe Qendra Shqiptare MediaLook në FB”, tha autori dhe eksperti i medias Elvin Luku.

Sulmi ndaj MediaLook rezulton i ngjashëm me një serë sulmesh kibernetike ndaj disa mediave dhe komuniteteve online që publikojnë informacione, komente apo lajme me sens kritik ndaj pushtetit qendror dhe lokal.

Sipas të dhënave që disponohen, sulmet e herëpasherëshme ndaj MediaLook kanë qenë të llojit “DDoS”, me adresa IP nga India, Pakistani dhe një numër i madh nga Rusia, ngjashëm me rastet e sulmeve ndaj mediave të tjera.

 

Lidhur me motivet e sulmit, eksperti i medias Elvin Luku shprehet se mbeten të panjohura, por theksoi se përmbajtjet dhe temat të cilat trajton Medialook mund të jenë arsyet potenciale të shënjestrimit.

“Prej 8 Qershorit, në bashkëpunim dhe me Unionin e Gazetarëve, MediaLook po zhvillon një seri tryezash mbi Propagandën, dizinformimin dhe një analizë të peizazhit mediatik në vend”, u shpreh Luku, duke shtuar se MediaLook ka hulumtuar gjithashtu për përdorimin e mediave nga Bashkia e Tiranës dhe nga platforma NewsLab.

Eksperti Luku është i mendimit se censura mediatike ka kaluar tashmë nga sulmet e drejtpërdrejta të politikës ndaj medias apo gazetarëve, në goditje të medias dhe fjalës së lirë duke përdorur një ushtri “raportimesh kundër lajmeve” që merren në konsideratë nga gjigandët e rrjeteve sociale dhe e censurojnë postimin pasi e klasifikojnë si “dhunim të politikeve të tyre”.

Eksperti i MediaLook shtoi se llogaritë e medias në platformën e Facebook janë arritur të rikuperohen për shkak te administrimit të dyfishtë, një masë e cila ka ndihmuar në mosmbylljen përfundimtare të llogarive mediatike./Tema