Një nga ndeshjet që premton më shumë spektakël në çerekfinalet e Euro 2024 është ajo mes Gjermanisë dhe Spanjës.

Dy superfuqi që për vite me radhë kanë dominuar në futbollin europian dhe botëror, ndërsa këtë edicion do të matin forcat për një biletë në gjysmëfinale. Spanja e Luis de la Fuente deri më tani është skuadra perfekte e këtij europianit, duke shënuar nëntë gola pësuar vetëm një - autogol atë kundër Gjeorgjisë dhe katër fitore radhazi.

Megjithatë, përballë Gjermanisë organizatore e këtij eventi, iberikët e kanë të qartë se detyra nuk do të jetë aspak e thjeshtë. Futbollisti Oyarzabal, në konferencën e zakonshme për shtyp tregoi se spanjollët janë gati dhe besimi nuk mungon.


“Natyrisht, ata kanë lojtarë të mëdhenj dhe me shumë eksperiencë. Nuk fokusohemi te lojtarët individualë, për ne e rëndësishme është të punojmë si ekip, që edhe ata që vijnë nga pankina e dinë se çfarë duhet të bëjnë dhe se të gjithë së bashku përpiqemi të arrijmë qëllimin. Duke fituar ndeshjet. Jemi dalluar se jemi të gjithë bashkë gjatë gjithë kohës, pa asnjë përçarje në skuadër. Jemi gati për Gjermaninë, tek djemtë ka optimizëm dhe atmosfera është pozitive”, tha spanjolli.

Komenti i ish-portierit gjerman Jens Lehmann, i cili tha se Spanja ishte një "skuadër e vogël dhe pa përvojë", Oyarzabal u përgjigj duke thënë se spanjollët janë të sigurt se mund të mposhtin këdo.

"Është vetëm një mendim i tij, e respektoj por nuk pajtohem kurrsesi. N jemi një skuadër e madhe, dhe çfarë thonë njerëzit, kjo nuk na ndikon. Ne jemi të qetë, ne e dimë se çfarë jemi të aftë të bëjmë dhe po mund të fitojmë ndaj kujtdo.”

Dueli Gjermani-Spanjë garanton emocione të mëdha. Ndeshja e parë çerekfinale do të luhet të premten në orën 18:00./Tema