Dymbëdhjetë vite pas censit të 2011-ës, Shqipëria ka 300 mijë të rinj më pak. Të dhënat e Censit të 2023-shit, treguan se në Shqipëri jetojnë 735 mijë persona të moshave 15-39 vjeç, ndërsa në 2011-ën, ishin 1 milionë e 35 mijë.  Ekspertët thonë se shkaku kryesor për largimin e rinisë është deformimi i tregut të punës:

“Së pari mungesa e perspektives dhe e meritokracisë në çdo aspekt. Së dyti është pamundësia e punësimit të dedikuar për këtë grup moshë pasi ka mos përputhje të kërkesës dhe ofertës së punës. Së treti lidhet me modernizimin që duhet të ketë sipërmarrja private në vend. Mungon edhe sistemi i promovimit të brendshëm në sipërmarrje”.

Por, Shqipëria mund ta rifitojë 'trurin' e profesionistëve të larguar nëse ndërmerr masa, nga mbështetja financiare për të rinjtë deri tek plani kombëtar i punësimit.

Këshillimi i karrierës duhet të bëhet lëndë kryesore në shkollë që të rinjtë të zbulojnë talentin. Duhet të ndryshojnë kurrikulat arsimore për tu përshtatur me tregun dhe së treti duhet të njihemi me një ofertë kombëtare për punë. Do të duhet të paktën 5-10 vite nëse merren këto masa për të pasur rikthime në Shqipëri”, u shpreh eksperti Erion Muça, për Report TV.

Largimi i krahut të punës përkthehet në një barrë të madhe për ekonominë, efekte që po ndjehen prej vitesh tashmë. Biznesit i mungojnë punonjës, ekonomisë i mungon konsumi dhe kontributet e mjaftueshme për skemën e pensioneve, është shtuar kostoja e punës dhe ulur produktiviteti.

POPULLSIA NË MOSHË 15-39 VJEÇ

 

Censi 2023                 735.589 banorë

Censi 2011              1.035.771 banorë

Rënia                        -300,182 banorë

/Tema