Në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana, filloi "Samiti i 24-t i Krerëve të Shteteve të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO)".
Samiti i mbajtur në formatin "SCO+" nën Presidencën e Kazakistanit, nisi në Pallatin e Pavarësisë në Astana me mbledhjen e Këshillit të krerëve të shteteve të vendeve anëtare të SCO-së.
Në takimin e organizuar nga presidenti i Kazakistanit, Kassym Jomart Tokayev morën pjesë presidenti rus, Vladimir Putin, presidenti kinez, Xi Jinping, presidenti i Uzbekistanit, Shavkat Mirziyoyev, presidenti i Kirgistanit, Sadyr Japarov, presidenti i Taxhikistanit, Emomali Rahmon, kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, presidenti i përkohshëm i Iranit, Mohammad Mokhber, ministri i Jashtëm i Indisë, Subrahmanyam Jaishankar, presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko dhe Sekretari i Përgjithshëm i SCO-së, Zhang Ming.
Përpara takimit të mbajtur me dyer të mbyllura, liderët nënshkruan vendimin për zgjedhjen e Bjellorusisë si anëtare e plotë e SCO-së. Në këtë mënyrë Bjellorusia u bë anëtarja e 10-të e SCO-së.
Pasdite do të mbahet edhe samiti "SCO+" i titulluar "Forcimi i Dialogut Shumëpalësh: Përpjekja për Paqe dhe Zhvillim të Qëndrueshëm" në të cilin merr pjesë edhe presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan.
- Organizata e Bashkëpunimit të Shangait
Themeli i SCO-së u hodh me emërtimin "Pesëshja e Shangait" nga liderët e Rusisë, Kinës, Kazakistanit, Kirgistanit dhe Taxhikistanit të cilët u mblodhën së bashku në Shangai të Kinës për herë të parë në vitin 1996, për të nënshkruar një marrëveshje me qëllim për të siguruar stabilitetin në kufirin midis ish-republikave sovjetike dhe Kinës.
Në vitin 2001 "Pesëshja e Shangait" u themelua si Organizata e Bashkëpunimit të Shangait me përfshirjen edhe të Uzbekistanit në mesin e tyre. Organizatës iu bashkuan India dhe Pakistani në 2017 ndërsa edhe Irani në 2022.
Në SCO Bjellorusia, Mongolia dhe Afganistani janë si "vëzhgues", ndërsa Türkiye, Azerbajxhani, Egjipti, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini, Katari, Armenia, Kamboxhia, Kuvajti, Maldivet, Mianmari, Nepali dhe Sri Lanka janë gjithashtu "partnerë dialogu".
SCO i cili përfshin 61 për qind të kontinentit Euroaziatik, është organizatë rajonale bashkëpunimi. Në mesin e objektivave kryesore të SCO subjekti kryesor i bashkëpunimit të së cilës është siguria, përfshihet forcimi i besimit reciprok midis vendeve anëtare, zhvillimi i bashkëpunimit me qëllim ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon, luftën e përbashkët kundër terrorizmit, zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik dhe rritjen ndërveprimit kulturor.
Sekretariati i Përgjithshëm i SCO-së ndodhet në kryeqytetin e Kinës, Pekin ndërsa institucioni rajonal i luftës kundër terrorizmit operon në kryeqytetin e Uzbekistanit, Tashkent./aa