Fillimi zyrtar i negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe ndarja e 5 miliardë dollarëve për blerjen e armëve janë dy lajme të mira për Ukrainën.Madje 25 qershori mund të konsiderohet “një ditë historike”, duke përdorur fjalët e Presidentit Volodymyr Zelensky: një dritë jeshile e dyfishtë ka ardhur nga qeveritë e vendeve anëtare, e cila nga njëra anë i hap dyert e BE-së Kievit dhe nga ana tjetër, do të lejojë ushtrinë të forcohet në terren në luftën kundër Rusisë.Hapi më i rëndësishëm nga pikëpamja politike është padyshim ai i anëtarësimit në bllok.

“Sot është një ditë historike kur ne kalojmë në negociata aktuale me Bashkimin Evropian për pranimin e Ukrainës”,u shpreh Zelensky në Telegram.

“Më 28 shkurt 2022, pak ditë pas fillimit të pushtimit në shkallë të gjerë, ne nënshkruam kërkesën për anëtarësim”, kujtoi lideri ukrainas.

“Pothuajse dy vjet më parë, në qershor 2022, morëm kandidaturën dhe dhjetorin e kaluar kemi morëm një vendim politik për negociatat . Aderimi ynë në Bashkimin Evropian do të fillojë sot (25 qershor): Konferenca e parë ndërqeveritare midis Ukrainës dhe BE-së do të mbahet sot”.

Hapja e negociatave ka të bëjë edhe me Moldavinë dhe është rezultat i një tërheqjeje të gjatë mes pothuajse të gjitha vendeve të BE-së dhe Hungarisë së Viktor Orban, e cila është kundër përshpejtimit të pranimit të Kievit.

Nuk është rastësi që zhbllokimi formal i procedurës së hyrjes mbërriti në prag të samitit të fundit të BE-së të drejtuar nga qeveria belge, presidenti i rradhës i Këshillit: nga 1 korriku do të jenë Orban dhe ministrat e tij që do të drejtojnë punën e te 27-es. Fillimi i negociatave nuk do të thotë që hyrja e Ukrainës dhe Moldavisë është afër: të dy vendeve do të duhet të bëjnë reforma për t’iu përshtatur standardeve të BE-së, ndërsa nga ana tjetër anëtarët aktualë do të duhet të gjejnë kuadrin e duhur për zgjerimin e mundshëm.

Aderimi i Kievit, një vend me mbi 40 milionë banorë ende në luftë dhe një fuqi bujqësore, paraqet vështirësi të shumta, duke filluar me atë të ndihmës financiare nga e cila duhet të përfitojë. Kjo është arsyeja pse BE-ja, sipas të gjitha gjasave, do të duhet të reformojë traktatet e saj për t’u përgatitur për të mirëpritur Ukrainën. Hapi përpara drejt anëtarësimit u shoqërua me dritën jeshile për këstin e parë të ndihmës ushtarake prej 5 miliardë dollarësh nga BE.

Miratimi është pjesë e tekstit të angazhimeve të sigurisë mes BE-së dhe Ukrainës, të cilat do të zyrtarizohen në samitin e së enjtes, në të cilin do të marrë pjesë edhe Zelensky./SyriNet