Sot shënohet themelimi i Aleancës Kombëtare të Këshilltareve Bashkiake (AKKB), një platformë për fuqizimin e grave dhe vajzave dhe nxitjen e përfshirjes sociale në nivel vendor.

Këshilltaret gra nga i gjithë spektri politik dhe nga të gjithë bashkitë e vendit bashkohen në një platformë që synon të rrisë pjesëmarrjen e grave në vendimmarrjen politike si dhe të avokojë për përmirësimin e shërbimeve sociale për gratë dhe vajzat.

“Politika duhet të jetë mjeti për t’u bërë zëri i çdo gruaje dhe krahu ku secila prej tyre të mund të mbështetet për të pasur akses në çdo mundësi, që ajo të zhvillohet ekonomikisht e profesionalisht”, tha Silda Anagnosti, bashkëkryetare e Aleancës.

“Kur gratë anëtare të partive të ndryshme politike, nganjëherë dhe opozitare, punojnë bashkë dhe harmonizohen për një qëllim më të lartë, kjo dërgon një mesazh të fuqishëm tek e gjithë shoqëria shqiptare dhe ndërton ura të nevojshme”, tha ambasadorja zvicerane Ruth Huber.

Në fjalën e tij përshëndetëse, ambasadori i Suedisë, Niklas Ström, evidentoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërpartiak mes grave këshilltare bashkiake dhe më pas shtoi se, “të gjithë duhet të luftojmë tendencat regresive që nxisin rolin ‘tradicional’ të grave dhe vajzave, atë të qëndrimit në shtëpi apo të nënshtrimit në forma të ndryshme.”

AKKB është ndërtuar mbi pesë shtylla kyçe: i) fuqizimi politik i grave dhe vajzave, ii) aksesi i përmirësuar në shërbimet sociale, iii) fuqizimi ekonomik i grave dhe vajzave, iv) reforma legjislative dhe v) lufta kundër dhunës me bazë gjinore, të cilat do të udhëheqin përpjekjet tona për të krijuar një Shqipëri më të barabartë.

Aktualisht përfaqësimi politik i grave është rritur në 42.22 %. Aleanca do të vazhdojë punën për të forcuar pozicionin dhe zërin e grave në shoqëri dhe për të bërë të mundur që ato të arrijnë potencialin e tyre të plotë, duke ndikuar si në komunitetet vendore ashtu edhe në nivel kombëtar.

Aleanca Kombëtare e Këshilltareve Bashkiake mbështetet nga “Bashki të Forta”, projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC dhe qeverisë së Suedisë, i zbatuar nga Helvetas./ata