Përgjatë gjithë korrikut, artistët e TKOB do të dalin nga institucioni i tyre, duke çuar koncerte muzikore, balete e performanca të tjera artistike, më pranë pushuesve të këtij sezoni turistik.

“Zagushia e stinës nuk e mund dot freskinë që sjell vitaliteti i grave fatale të baletit “Fatalità”, i cili do të mbahet këtë fillim muaji në qytetin historik të Durrësit”, shkruan TKOB në faqen e tij online. Ndërkohë sot mbahen provat gjenerale për Koncertin Gala të baritonit Gëzim Myshketa, në Durrës.

Baritoni i mirënjohur shqiptar, Gëzim Myshketa, vjen në qytetin e tij të lindjes, Durrës, me një koncert recital për të gjithë qytetarët, në datën 6 korrik.

Më 10 korrik, “Carmina Burana”, me thirrjen e saj të fuqishme “O Fortuna”, vjen në qytetin bregdetar të Vlorës për të udhëtuar pastaj drejt Kotorit të Malit të Zi.

Baleti “Uni” na vendos në përballje me veten në disa qytete turistike shqiptare: Sarandë, Vlorë, Pogradec. Për të vijuar më pas me koncerte recitale dhe muzikë filmash, të cilat vijnë magjishëm në disa qytete.

TKOB fton të gjithë artdashësit, t’u bashkohen artistëve këtë korrik për të kërcyer e kënduar së bashku, në atmosferën që TKOB do të krijojë./ata