Tuneli i Llogorasë prej sot u hap për qarkullim. Vepra infrastrukturore shkurton ndjeshëm distancat për në bregdetin e Jugut. Tuneli nis 500 metra larg urës së Shën Elizës, që është pjesë e rrugës Orikum-Dukat.
Në hapjen e tunelit të Llogorasë ishte i pranishëm paraditen e sotme Kryeministri Edi Rama, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku, zyrtarë dhe shumë banorë të zonës sikundër edhe pushues.
Në hyrje të tunelit, Rama u prit me iso polifonike, ndërsa bisedoi me qytetarë të pranishëm. Më pas ai përshkoi tunelin e sapohapur me një autobus të mbushur me qytetarë, të cilët shprehën kënaqësinë për këtë vepër që jo vetëm shkurton distancat drejt jugut, por nxit turizmin dhe ekonominë e zonës.
“Ka dy vite që punohet për këtë tunel. Jugu tashmë është i lidhur. I gëzojnë fëmijët tanë”, tha një zonjë nga zona e Labërisë.
“U lidh Deti Jon me Adriatikun. Do të rritet dhe cilësia e turizmit. Do të rrisë mirëqenien. Ta gëzojmë ndërkombëtarisht. Vlerë e jashtëzakonshme”, u shpreh një qytetar tjetër.
“Ishte një ëndërr, duket si përrallë e dikurshme. Sot po kalojmë dhe po e shijojmë këtë vepër. I jep vlerë dhe Llogorasë, pasi kthehet në një atraksion turistik, jo vetëm rrugëkalimi”, u shpreh qytetari.
“Këto përrallat e dikurshme do t’i kthejmë realitet. Të tërë e kanë premtuar tunelin e Llogorasë, të tërë e kanë premtuar dhe aeroportin e Vlorës. Në fund të vitit e mbarojmë dhe aeroportin. Më pas janë testimet. Sot një vit besoj ulim avionin e parë. Korridorin blu do ta mbarojmë. Ajo që patë nga Thumana në Kashar, do të jetë nga kufiri me Malin e Zi deri në Fier. Pra e gjithë autostradë deri tek tuneli”, tha Rama.
“Ne vlonjatët për 20 minuta ikim nga shtëpia në Palasë. Veshim rrobat e banjës dhe ikim në Palasë”, tha një tjetër qytetar.
Një shtetase polake, tha se kishte shtatë vite që punonte në Shqipëri. “Unë me sytë e mi i shoh ndryshimet në Vlorë. Kam disa vite qe jetoj këtu. Ishte kënaqësi të isha këtu”, tha ajo.
Tuneli i Llogarasë ka një gjatësi prej 5.9 kilometrash. Ky tunel do të shkurtojë ndjeshëm kohën e udhëtimit drejt bregdetit të jugut, një vepër historike që do të ndryshojë përgjithmonë udhëtimin drejt jugut të vendit.
Tuneli i Llogorasë përbëhet nga dy tunele, tuneli kryesor dhe ai i emergjencës. Si tuneli kryesor, ashtu edhe ai i emergjencës, kanë 11 tunele lidhëse me njëri-tjetrin në gjithë gjatësinë e tyre. Thellësia e vijës së projektit të tunelit është 1 kilometër nga sipërfaqja e tokës.
Tuneli i Llogorasë do ketë një shpejtësi rreth 80 km në orë. Ai shkurton distancën nga Dukati në Palasë nga 40-45 minuta në vetëm 7-8 minuta. Ky investim shkurton rrugën për udhëtarët nga Vlora në Palasë që nëse dikur bëhej për 1 orë, tashmë ajo do realizohet për 20 minuta./ata