Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi deklaroi sot se Presidenti i Republikës ka shkelur Kushtetutën e vendit dhe ligjin duke dekretuar datën e zgjedhjeve të pjesshme për Himarën.

Ai u shpreh se Presidenti shpalli datën pa një vendim të ekzekutueshëm ende për pavlefshmëri të mandatit të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës.

“Teatri i sotëm i koordinuar mes Edi Ramës dhe një gjenerali të bërë ushtar, është një atentat ndaj shtetit ligjor, që tregon asgjesimin politik të institucionit të Presidentit të Republikës. Vendimi i sotëm i KQZ nuk është ende i ekzekutueshëm pa kaluar afati i ankimit. Presidenti i Republikës, Bajram Begaj gabon rëndë kur mendon se problemet e tij të integritetit në detyrat shtetërore pararendëse do i tejkalojë duke u sjell si vartës i rëndom i Edi Ramës”, tha Bardhi.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dekretoi datën 4 gusht 2024 për zhvillimin e zgjedhjeve për kryetar të bashkisë Himarë./ata