Futbolli i vajzave dhe politikat gjinore që ndjekin federatat e shteteve europiane u diskutua në Hamburg Sport Summit, një aktivitet që zhvillohet për të tretin vit radhazi në këtë qytet. Përfaqësuese e Shqipërisë në këtë samit me temën “Building a diverse future for sports” ishte Anila Basha, anëtare e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, njëkohësisht kryetare e komisionit të futbollit të vajzave në Shqipëri.
Anila Basha u ftua nga drejtuesit e Samitit për të folur për futbollin e vajzave në Shqipëri, si një rast i suksesshëm në përpjekjet që bëhen në UEFA për të zhvilluar më tej këtë sport.
Drejtuesja e panelit e nisi diskutimin me prezantimin e Bashës si e para grua e zgjedhur në forumin më te lartë qeverisës të futbollit në Shqipëri dhe kërkoi të dinte më shumë se cilat ishin hapat konkretë të ndërmarrë në vend për futbollin e vajzave.
“Ne e dimë se nuk është e thjeshtë të dalësh kundër rrymës apo zakoneve të trashëguara. Por Federata Shqiptare e Futbollit, me ndihmën e UEFA dhe FIFA, ka miratuar nëntorin e kaluar strategjinë “Rising Stars” për futbollin e vajzave, e cila në fakt është pjesë e strategjisë kombëtare “Futbolli për Kombin 2022 – 2025”.
Kemi identifikuar terrenin dhe problemet, ndërkohë që po zhvillojmë politikat tona sportive në disa drejtime: së pari, shtrirjen në një bazë të gjerë të futbollit të moshave dhe fëmijëve në shumë shkolla fillore në vend.
Projektet si “Playmakers”, “UEFA championship for Girls”, “Fifa Football4School” apo “TDS” janë një mbështetje e madhe për zgjerimin e futbollit te fëmijët dhe gjetjen e talenteve”, – u shpreh anëtarja e KE.
“Në lidhje me futbollin kombëtar, FSHF jep mbështetje financiare dhe krijon premisat e duhura për organizim të rregullt të kompeticioneve. Sa i përket kombëtares shqiptare, ajo konkurron në gjitha kompeticionet ndërkombëtare të të gjitha niveleve dhe FSHF krijon kushtet dhe mbështetjen për një performancë sa më të mirë të ekipeve tona të vajzave”, – tha Anila Basha para të pranishmëve në Samit.
Në vijim, fokusi i diskutimit u orientua në politikat gjinore që FSHF-ja ndjek në Shqipëri, për të cilat Basha u shpreh se punohet në disa drejtime.
“Ne punojmë në tre drejtime në politikat e barazisë dhe diversitetit në futboll, duke filluar nga organizata jonë. Struktura organizative e FSHF përbëhet nga 120 punonjës, ku 40 prej tyre janë gra, të cilat punojnë në departamente të ndryshme. Në nivel menaxherial, gjysma e drejtuesve të departamenteve në FSHF janë gra”, – tha Anila Basha.
“Drejtimi i dytë është fuqizimi i futbollit të vajzave, i cili është rritur në te gjitha aspektet. Madje në Shqipëri ne kemi edhe një kampionat amator të vajzave të moshës 11 – 15 vjeç”, shtoi më tej ajo.
“Drejtimi i tretë për politikat gjinore të ndjekura nga ana jonë, fokusohet tek edukimi si një mjet i rëndësishëm për të arritur qëllimin tonë. Ne kemi shtuar kurset e trajnimit, duke inkurajuar gratë dhe vajzat që të marrin role lidershipi në sektorë të ndryshëm si: trajnere, arbitre apo edhe drejtore teknike. Disa kurse janë falas, ndërsa për kurse si UEFA Pro, për të gjitha vajzat që aplikojnë ka çmime të diferencuara për t’i inkurajuar”, u shpreh Basha.
Në fund, ajo u ndal të rëndësia e bashkëpunimit të Federatës me strukturat e FIFA-s dhe UEFA-s për zbatimin e këtyre politikave.
“E dimë se është e vështirë por jo e pamundur. FSHF bën gjithçka që duhet për të përmirësuar infrastrukturën sportive dhe për të krijuar kushtet që vajzat dhe gratë që përqafojnë sportin e futbollit të ndihen në një terren të qetë, komod dhe bashkëpunues. Në shumë projekte, sigurisht që kërkohet ndihma e organizatave ndërkombëtare si FIFA dhe UEFA, pa mbështetjen e të cilave, të gjitha këto reforma nuk do të kishin rezultatet e pritura”, theksoi anëtarja e Komitetit Ekzekutiv, Anila Basha në referimin e saj para audiencës.
Pjesëmarrës në këtë Samit ishin shumë personalitete të botës së futbollit të vajzave, mes të cilëve Laura McAllister, anëtare e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, Lise Klaveness, presidente e Federatës Norvegjeze të Futbollit si edhe përfaqësues nga federatat e ndryshme, klubet më të njohura europiane dhe organizata ndërkombëtare./ata