Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja deklaroi sot se janë bërë disa ndryshime në ligjin për Policinë e Burgjeve.

 

Në një prononcim për mediet pas mbledhjes së qeverisë Manja tha se, “sot kaluam disa ndryshime në ligjin për policinë e Burgjeve. Është një ligj i miratuar në vitin 2020 por nga zbatimi në praktikë i këtij ligji kanë lindur disa problematika të cilat me ndryshimet e sotme ne u japim zgjidhje”.

 

Manja u shpreh se, “problematika e parë ka të bëjë me plotësimin e vakancave në sistemin e Policisë së Burgjeve. Siç e dini kemi një numër relativisht të lartë të vakancave në këtë Polici dhe nëpërmjet këtyre ndryshimeve ligjore ne i japim zgjidhje këtij problem. E para, heqim kufirin e moshës deri në 35 vjeç për t’u bërë pjesë e Policisë së Burgjeve, pasi ky kufizim moshor nuk ka rezultuar efektiv në zbatimin në praktikë të këtij ligji. Aq më tepër që vendosja e kufizimeve moshore në ligj është dhe një kriter diskriminues”, tha Manja.

 

“E dyta në ligji kemi përcaktuar rregulla të qarta me ripranimin në Policinë e Burgjeve të ish-punonjësve tanë që janë larguar me dorëheqje dhe jo me masa disiplinore. Gjithashtu hapim një dritare për pranimin në Policinë e Burgjeve edhe të kandidatëve të tjerë që vijnë nga struktura policore ose ushtarake dhe që plotësojnë kriteret për tu bërë pjesë e Policisë së Burgjeve sipas këtij ligji”, vijoi ministri Manja.

 

Ai shtoi se, “gjithashtu në ligjin e sotëm kemi propozuar edhe disa ndryshime që kanë të bëjnë me trajtimin e përshtatshëm të punonjësve të Policisë së Burgjeve sa i përket të drejtës së strehimit”.

 

“Ndryshimi tjetër që kemi propozuar ka të bëjë me rregullimin e sistemit të gradave të ulëta dhe të mesme në Policinë e Burgjeve, pasi sot kemi një problematikë për gradat e mesme. Duke pasur mungesë në punonjës të Policisë të rolit bazë është bllokuar efekti zinxhir i gradave në nivelet e mesme dhe të larta. Pra me këtë ndryshim synojmë të rregullojmë sistemin e gradave në Policinë e Burgjeve, duke e bërë sistem karriere. Pra jo çdokush që vjen nga jeta civile mund të bëhet pjesë e Policisë së Burgjeve por tashmë përparimi në gradë dhe ngritja në detyrë në Policinë e Burgjeve do të ketë efekt zinxhir sipas kritereve që përcakton ligji”, theksoi Manja.

 

Manja tha se, “ndryshimi i fundit që kemi propozuar për këtë ligj ka të bëjë me përdorimin dhe llojet e armëve që ju lejohen të përdorin punonjësit e Policisë së Burgjeve. Me këto ndryshime punonjësve të Policisë së Burgjeve nuk do t’ju lejohet mbajtja e armëve jashtë orarit të shërbimit”.