Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban deklaroi se Evropa ka një "politikë lufte" lidhur me konfliktin Rusi-Ukrainë dhe lë të kuptohet se Evropa ka nxitur luftën Rusi-Ukrainë.
Në një deklaratë për gazetat "Bild" dhe "Welt" të lidhur me grupin gjerman Axel Spriger, Orban kritikoi qëndrimin e Evropës në luftën Rusi-Ukrainë. "Më vjen keq që jam i detyruar ta them këtë, por edhe Evropa ka një politikë lufte", tha ai.
Orban i bëri thirrje Evropës që të "ndjekë politikë autonome" nga SHBA-ja dhe shtoi se "Viktima e vërtetë e të dy palëve të luftës janë ekonomia dhe qytetarët e Evropës".
Ai vuri në dukje se beson që në front nuk do të mund të gjendet zgjidhje për konfliktin Rusi-Ukrainë. "Njerëzit, ne, bota duan paqe. Ndaloni së vrari njëri-tjetrin. Të fillojmë negociatat ose kuptoni të paktën që nuk ka zgjidhje në terren", tha ai.
Pasi rikujtoi se Kievi dhe Moska kanë zhvilluar bisedime, Orban tha: "Kam pasur mundësinë të bisedoj me presidentët e Rusisë dhe të Ukrainës. Më besoni mua, dy ose tre muajt e ardhshëm do të jenë shumë më brutalë nga sa mendojmë".
"Shumë politikanë evropianë dëshirojnë menjëherë një zgjidhje që nuk ekziston", deklaroi Orbani i cili shtoi se:
"Rruga që shkon drejt paqes fillon me kërkimin e paqes nga ata që janë në luftë ose ata që janë afër saj. Lufta nuk bie nga qielli me shportë. Lufta është rezultat i vendimeve të njerëzve të caktuar. Pikërisht për këtë arsye ne duhet t'i gjejmë këta liderë botërorë. Çfarë po bëjnë Kina, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian? Kina ka një plan paqeje. Amerika ka një politikë lufte. Ndërsa Evropa në vend që të ketë qasjen e saj strategjike, ajo kopjon vetëm pozicionin e Amerikës".
Kryeministri hungarez mbron idenë e tij se lufta e Rusisë ndaj Ukrainës nuk do të mund ta ndodhte kurrë nëse ish-kancelarja gjermane Angela Merkel, do të ishte ende kancelare. "Merkel ka aftësinë, qasjen dhe shkathtësinë për të izoluar konfliktet që janë të këqija për Evropën", tha Orban./aa