Që nga fillimi i muajit gusht, Izraeli ka kryer sulme ajrore në 13 qendra strehimi në Rripin e Gazës, ku palestinezët e zhvendosur kanë kërkuar strehim.
Sulmi i fundit ndodhi sot herët kur ushtria izraelite bombardoi shkollën Al-Taba’een në lagjen Al-Daraj në pjesën lindore të qytetit Gaza, duke vrarë të paktën 100 palestinezë.
Në një konferencë për media, zëdhënësi i Mbrojtjes Civile në Gaza, Mahmoud Basal, tha se sulmi izraelit në shkollën Al-Taba’een goditi dy kate, një kat ku strehoheshin gra dhe një kat tjetër që shërbente si dhomë lutjesh për civilët e zhvendosur.
Ai tha se sulmi i fundit ka rezultuar në viktima të shumta, me shumë njerëz ende të pagjetur.
“Ne kërkojmë nga bota që të ndërhyjë menjëherë për të ndaluar masakrat kundër civilëve të pambrojtur në strehimore”, theksoi Basal.
Më herët, Zyra e Qeverisë për Media në Rripin e Gazës tha se ushtria izraelite shënjestroi “drejtpërdrejtë” civilët e zhvendosur gjatë faljes së namazit të sabahut, që çoi në një rritje të shpejtë të numrit të viktimave.
Pavarësisht thirrjeve nga ndërmjetësit të enjten, përfshirë Egjiptin, SHBA-në dhe Katarin, për të ndaluar armiqësitë, si dhe për të arritur një armëpushim dhe një marrëveshje për shkëmbimin e pengjeve, Izraeli vazhdon me ofensivën vdekjeprurëse në Rripin e Gazës.
Që nga tetori i kaluar pas një sulmi ndërkufitar nga grupi i rezistencës palestineze Hamas, sulmet izraelite ndaj Rripit të Gazës kanë vrarë të paktën 39.700 palestinezë.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila e urdhëroi Tel Avivin të ndalojë menjëherë operacionet ushtarake në qytetin jugor Rafah, ku më shumë se 1 milion palestinezë kanë kërkuar strehim nga lufta përpara se qyteti të pushtohej më 6 maj./aa