Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan tha se pavarësisht pengesave dhe kufizimeve, vendi i tij po zgjeron praninë në hapësirë, duke iu referuar satelitit të sapolançuar të Turksat 6A.
Turksat 6A u nis të hënën në orën 19:30 sipas kohës lokale nga Stacioni i Forcave Hapësinore "Cape Canaveral" në shtetin amerikan të Floridës nga raketa Falcon 9 e SpaceX.
Erdoğan tha se Türkiye dërgoi satelitin e saj Turksat 5B me të njëjtën raketë dy vjet e gjysmë më parë, duke shtuar: "Ne jemi të kënaqur që forcojmë bashkëpunimin tonë me Elon Muskun dhe SpaceX në fusha të ndryshme".
Ai tha se Türkiye ka përfunduar më shumë se 81 për qind të punës lidhur me nën-sistemet dhe softuerët për Turksat 6A me burime vendase, gjë që është e rëndësishme për të ardhmen e vendit në fushën e hapësirës.
Presidenti turk rikujtoi se si pjesë e programit të saj kombëtar hapësinor, Türkiye së fundmi realizoi udhëtimin e saj të parë hapësinor me njerëz.
Erdoğan theksoi se me Turksat 6A, Türkiye arriti një fazë të re në prodhimin e satelitëve, duke shtuar se Turksat 6A do të rrisë kapacitetin e mbulimit satelitor të Türkiyes, përfshirë vende si India, Tajlanda, Malajzia dhe Indonezia.
Me Turksat 6A, eksportet e shërbimeve të Turksat do të rriten dhe Türkiye do t'u bashkohet vendeve të tjera me aftësinë për të prodhuar satelitët e tyre të komunikimit.
Erdoğan tha se është domethënëse që Türkiye është në gjendje të prodhojë satelitë të komunikimit kritik pa varësi nga jashtë./aa