Përfaqësues të institucioneve në Kosovë dhe të ftuar të shumtë nga komuniteti boshnjak kanë zhvilluar një diskutim në Institutin e Historisë në Prishtinë rreth gjenocidit të Srebrenicës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili mori pjesë në këtë diskutim, tha se çdo përvjetor i masakrës së Srebrenicës është dhimbje që përtërihet.
Kurti tha se para 29 vitesh u krye një nga tmerret më të mëdha të gjenocidit ku 8.372 burra dhe djem boshnjak u vranë mizorisht në mënyrë sistematike.
“Masakra në Srebrenicë krahas së qeni dëshmi e terrorit të regjimit të Millosheviqit në Bosnjë e Hercegovinë ishte edhe paralajmërim i projektit gjenocidal në Kosovë. Nga viti 1998 deri 1999 mbi 13 mijë shqiptarë të Kosovës u vranë dhe mbi 1 milionë u dëbuan nga shtëpitë e tyre dhe afër 1.600 i kemi ende të pagjetur”, theksoi Kurti.
Zv/kryeministrja e Kosovës nga komuniteti boshnjak, Emilija Rexhepi, tha se 11 korriku është një ditë që kujton një nga momentet më të errëta të historisë së re, kur 29 vjet më parë u krye gjenocidi në Srebrenicë në tokën evropiane.
Rexhepi tha se mijëra jetë të pafajshme u shuan duke lënë pas një boshllëk që nuk mund të plotësohet kurrë.
“Më shumë se 8.000 burra dhe djem të boshnjak u morën, u torturuan dhe u vranë brutalisht në vendin e tyre, në vendlindjen e tyre, në oborrin e shtëpisë së tyre. Sepse ushtria serbe, përkatësisht fqinjët e tyre, befas nuk i pëlqyen emrat dhe mbiemrat e tyre, sepse i përkisnin ndonjë grupi tjetër etnik apo ndonjë grupi tjetër fetar”, tha Rexhepi.
Ajo tha se dhimbja dhe vuajtja e njerëzve të Srebrenicës nuk duhet të harrohen, ndërsa është detyrë e të gjithëve që të flasin për të dhe të ngrenë zërin kundër të gjitha formave të fanatizmit dhe diskriminimit.
Shemsudin Mehmedoviq, deputet i Asamblesë Kombëtare të Bosnjë e Hercegovinës, i cili po qëndron për vizitë në Prishtinë, tha se politikat e viteve 90 po ringjallen sot dhe se 11 korriku nuk shënohet në të gjitha vendet.
“Ne si njerëz të qytetëruar duhet të respektojmë viktimat, rezolutat ndërkombëtare, rregullat e bashkësisë ndërkombëtare, sepse nëse nuk i respektojmë, atëherë kushdo mund të bëjë çfarë të dojë. Prandaj çështja e Srebrenicës është çështje e gjithë botës së qytetëruar, është një pikë e dhimbshme, një dhimbje në zemrën e çdo njeriu të qytetëruar”, tha Mehmedoviq.
Qeveria e Kosovës miratoi sot që 11 korrikun ta shpallë Ditë Memoriale në Përkujtim të Gjenocidit të Srebrenicës./aa