Rënia e numrit të popullsisë në shumë bashki të Shqipërisë do të sjellë dhe një riformatim të transfertës së pakushtëzuar që jepet nga qeveria qendrore për pushtetin vendor, e cila llogaritet në bazë të numrit të banorëve.

Referuar strategjisë sektoriale të  menaxhimit të financave publike 2023-2030,  duke nisur nga fundi i këtij viti do të rishikohet dhe përditësohet formula e transfertave të pakushtëzuara për pushtetin vendor, duke përdorur të dhëna të reja të bazuara në regjistrimin e popullsisë.

Njëkohësisht synohet të rishikohet, miratohet dhe konsolidohet metodologjia për ndarjen e taksave personale me Njësitë e Qeverisjes Vendore, më qëllim përmirësimin e tyre financiar dhe nxitjen për të mbledhur më shumë taksa.

Nga ana tjetër ka nisur puna për zhvillimin dhe vendosjen e Sistemit të ri të Menaxhimit të Buxhetit Vendor (SMBV) për përgatitjen dhe monitorimin e buxhetit vendor.

Me këtë software të ri synohet të pajisen të gjitha bashkitë dhe ky proces do të kërkojë edhe ngritje të kapaciteteve dhe trajnim të stafit.  Aktualisht bashkitë funksionojnë përmes taksave dhe tarifave që mbledhin si dhe granteve të qeverisë qendrore, të cilat janë në nivelin e 1 % të Prodhimit të Brendshëm  Bruto dhe shkojnë për përmbushjen e funksioneve të ndryshme në arsim, mjedis, shëndetësi, etj.

Sipas të dhënave të Censit2023, për shkak të fenomenit të emigrimit, bashkitë kanë humbur popullsi duke u tkurrur në mënyrë të ndjeshme. 14 nga 61 bashki kanë nën administrim një popullsisë prej më pak se 10 mijë banorësh, ndërsa 5 bashki kanë më pak se 5 mijë banorë, të tilla si Libohova, Këlcyra, Pusteci, Konsipoli, Fushë-Arrësi.

 

Më formulën që përdoret për transfetën e pakushtëzuar, fondet për bashkitë që kanë humbur banorë pritet të tkurren./Tema