A po e vizitojnë Shqipërinë më shumë apo më pak turistë se një vit më parë? Ky është diskutimi i ditëve të fundit, në një kohë kur qeveria ka vendosur si parashikim për këtë vit numrin mbi 14 milionë turistë. Një debat mbi sektorin që nuk duhet të mbetet i përqendruar tek shifrat e vizitorëve ose thënë ndryshe sasisë, por tek ajo që realisht turizmit lë në ekonominë shqiptare, domethënë cilësia e tij.

Të dhënat e fundit të Ministrisë së Turizmit tregojnë se në pjesën e parë të këtij viti, Shqipërinë e vizituan 4.5 milionë turistë, me rritje 34% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë. Shifra pritet të rritet gjatë muajve korrik dhe gusht, periudha kur turizmi kulmon në vendin tonë.

Por çfarë lloj turistësh kemi ne?

Të dhënat tregojnë se kemi turistë të varfër. Në tremujorin e parë të këtij viti, shpenzimet mesatare të turistëve të huaj kanë qenë 513 euro për person ose 70 euro më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo do të thotë se turizmi shqiptar ka sasi dhe pak cilësi.

Por sa para ka gjeneruar sektori i turizmit në ekonomi?

Në tre muajt e parë të këtij viti, që janë edhe të dhënat e fundit, të ardhurat nga turistët e huaj arritën në 788 milionë euro, me rritje 20.8% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë. Por teksa të huajt vijnë në Shqipëri për të pushuar, shqiptarët ikin jashtë vendit. Ata kanë shpenzuar në udhëtimet e tyre 521 milionë euro vetëm në tremujorin e parë të këtij viti ose rreth 17% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

 

Sipas përllogaritjeve të këtyre shifrave, bilanci i turizmit rezultoi pozitiv me 267 milionë euro ose 28.2% më shumë se vjet. Por vlen të theksohet se jo e gjithë kjo sasi parash mbetet në vend. Kjo në kushtet kur një pjesë ikën jashtë për të mbuluar importin e produkteve që duhen për të ushqyer turistët e huaj./Tema