Eksportet drejt Kosovës shënuan rritje me gati 900 milionë lekë gjatë periudhës janar-shkurt të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Sipas raportit të publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT) mbi tregtinë e jashtme, eksportet drejt Kosovës gjatë periudhës janar-shkurt ishin 3.6 miliardë lekë, nga 2.7 miliardë lekë që ishin në 2-mujorin e 2021-shit.

 

Ndërkohë, edhe importet për 2-mujorin shënuan rritje me gati 500 milionë lekë, duke arritur në 1 miliard lekë nga 520 milionë lekë që ishin në 2-mujorin e 2021-shit.

 

Eksportet kryesore të Shqipërisë drejt Kosovës përfaqësohen nga eksporti i materialeve të ndërtimit dhe metaleve, mineraleve dhe lëndëve djegëse, ushqimeve si dhe produkteve kimike dhe plastike.

 

Të rëndësishme në strukturën e eksporteve shfaqen prodhimet vendase të drurit/ mobilierisë si ndenjëset (karrige e kolltukë) apo mobilie të tjera.

 

Gjithashtu, edhe prodhimet bujqësore kanë peshë, ndër të cilat eksportin kryesor e zënë domatet, agrumet, pjepri dhe kastravecat.

 

Gjatë kësaj periudhe, referuar të dhënave, Shqipëria ka eksportuar drejt Kosovës 1.3 miliardë lekë materiale ndërtimi dhe metale dhe rreth 1.3 miliardë lekë minerale, lëndë djegëse, energji elektrike.

 

Tashmë prej datës 1 tetor të vitit 2-22 në doganën e Durrësit po kryhet zhdoganimi i të gjitha mallrave me destinacion Kosovën.

 

Janë 1040 biznese nga Kosova që përfitojnë aktualisht nga hapja e kësaj dege, jo vetëm kohë, por edhe kosto të reduktuar zhdoganimi.

 

Ndërkohë grupet e punës nga të dy vendet po punojnë për kryerjen e një analize për bashkimin doganor, në mënyrë që të hiqen të gjitha barrierat e burokracitë mes dy vendeve dhe që bashkëpunimi tregtar të mos ketë asnjë pengesë./ATSH