Në impiantin e Ferrokromit të AlbChrome, me investimet e reja sigurohet respektimi i të gjitha standardeve mjedisore dhe sociale, si detyrim i të gjitha sipërmarrjeve që ta mbrojnë dhe të mos ndosin hapësirën e përbashkët.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro e pranishme në aktivitetin e mbajtur sot në Elbasan u shpreh se, “AlbChrome është jo vetëm burim i rëndësishëm për ekonominë shqiptare, por është edhe një brand shqiptar gjithaq duke qenë se ka të bëjë me pasuritë natyrore të Shqipërisë”.

“Por, nuk mund të kemi zhvillim të qëndrueshëm vetëm me dimension vetëm social, ndërsa ai mjedisor që sot është praktikisht flamuri që na orienton kudo, nuk respektohet”, theksoi ajo.

Kumbaro falënderoi AlbChrome për investimin, duke u shprehur se, “e konsideroj një sukses për Elbasanin, i cili kurrë nuk ka qenë një destinacion turistik dhe po bëhet”.

Kumbaro u shpreh se, “ky investim dje ka marrë edhe certifikimin nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit”.

“Mund t’ju urojmë me gjithë zemër punë të mbarë së bashku, duke krijuar kështu një model për të gjitha bizneset që punojnë në industrinë e rëndë jo vetëm në Elbasan, por në të gjithë Shqipërinë”, përfundoi Kumbaro./ata