Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu i ka bërë kërkesat e tij edhe më rënda në procesin ku në rendin e ditës ka ardhur sërish një marrëveshje e re për armëpushim dhe shkëmbimin e pengjeve në Gaza mes Tel Avivit dhe Hamasit.

Netanyahu, i cili shpesh kritikohet se nuk është i gatshëm t'u japë fund sulmeve në Gaza për të mbrojtur karrierën e tij politike, ka paraqitur kërkesa të reja për të pranuar marrëveshjen në një kohë kur mes palëve janë rritur sërish shpresat për armëpushim dhe marrëveshje për shkëmbimin e të burgosurve në Gaza.

Prej një kohe të gjatë Netanyahu thotë se sulmet në Gaza do të vazhdojnë derisa të arrijnë qëllimet e tyre si "shkatërrimi i Hamasit dhe kthimi i të gjithë robërve". Ai bëri kërkesa të reja pasi negociatat filluan sërish javën e kaluar mes Izraelit dhe Hamasit për një armëpushim dhe marrëveshje për shkëmbimin e pengjeve.

Ajo që ka tërhequr vëmendjen më shumë prej tyre ishte lidhur me kufirin e Gazës me Egjiptin dhe pika kufitare Rafah. Netanyahu kërkon që pushtimi izraelit në kufirin e Gazës me Egjiptin, i njohur si "Korridori i Filadelfit" të vazhdojë dhe pjesa e pikës kufitare Rafah që mbetet në anën palestineze të kontrollohej nga forcat izraelite.

Kryeministri izraelit vuri në dukje se edhe sikur të ketë një armëpushim është kundër kthimit të "anëtarëve të Hamasit" në veri të Gazës. Përveç kësaj, Netanyahu mbrojti idenë se marrëveshja për armëpushim dhe shkëmbimin e pengjeve që do të arrihet në Gaza "duhet të garantojë të drejtën e Izraelit për të sulmuar Gazën përsëri derisa të arrihen qëllimet e luftës".

Këto kërkesa të Netanyahut sollën në rend dite pyetjen se "A po përpiqet kryeministri izraelit të vështirësojë shkëmbimin e të pengjeve?". Në lajmin në faqen izraelite "Walla", u tërhoq vëmendja se Netanyahu i vështirëson kushtet për marrëveshjen e armëpushimit dhe shkëmbimit të pengjeve.

Një zyrtar i paidentifikuar izraelit në një intervistë për "Walla" tha se "Netanyahu i bëri këto kërkesa të ashpra sepse ai përpiqet të përfitojë sa më shumë të jetë e mundur nga negociatat duke shfrytëzuar dobësinë e Hamasit. Por, ekziston rreziku që ai të shkojë shumë larg dhe negociatat të dështojnë"./aa