Përvojat që dy vajza palestineze të plagosura i përjetuan nga sulmet izraelite në jug të Rripit të Gazës nuk u largohen asnjëherë nga sytë.

Pasi u plagosën në dy sulme të veçanta, Fayize Abdulaziz (11) dhe Mira Ayyash (8) i treguan korrespondentit të AA për ngjarjet dhe dhimbjen që pësuan, në shtretërit e tyre ku po trajtohen në Spitalin Evropian në qytetin Khan Yunus në jug të Rripit të Gazës.

Ndërsa Fayize humbi dy vëllezërit dhe syrin e saj të majtë gjatë një sulmi ajror izraelit ndaj një automjeti civil në qytetin Rafah, Mira, nga ana tjetër, u desh të zhvendosej me familjen dhe u plagos rëndë kur shrapnelat goditën këmbën në një tjetër sulm në jug të qytetit ku ajo kishte ardhur.

Pamje tronditëse dhe shumë të dhimbshme

Fayize, e cila kishte vështirësi në të folur për shkak të plagës në fytyrë, shpjegoi detajet e sulmit:

“Unë isha duke ecur rrugës me dy vëllezërit e mi, djalin e xhaxhait dhe vajzën e tij, kur papritmas një raketë izraelite goditi një automjet që kalonte afër. Nga forca e sulmit u hodhëm në një vend mjaft larg nga ku ishim. Nga frika rashë përtokë, u lëndova në fytyrë, më rridhte gjak, nuk mund ta kuptoja se çfarë ndodhi”.

Me vështirësi për të përshkruar tronditjen, Fayize tha se pavarësisht dhimbjes që ka përjetuar në momentin e ngjarjes, ajo ka nisur të kërkojë vëllezërit rreth automjetit ku është qëlluar.

Duke treguar për trajtimin në Spitalin Evropian pas plagosjes, Fayize thotë:

“Tani shoh vetëm me njërin sy. Kam humbur syrin tjetër. A nuk është turp, cili është mëkati im? Natën nuk mund të fle nga frika. Çfarë krimi kam bërë që të humb vëllezërit dhe syrin? Mbyll syrin për një moment, makthet e tmerrshme më ndjekin, kujtoj momentet e tmerrshme të sulmit dhe zgjohem”.

“Jemi fëmijë, çfarë bëmë që na bombarduan kështu?”

E shtrirë në shtrat pranë Fayizes, 8-vjeçarja Mira Ayyash tregoi këmbën e saj, e cila u copëtua nga shrapnelat në sulmin izraelit.

Vogëlushja palestineze i përshkroi momentet kur u plagos: “Duhej të largoheshim nga vendi ku ishte shtëpia jonë në Gaza. Ishim në një lokacion ku sapo kishim ardhur. Unë isha duke luajtur jashtë me vëllezërit e motrat. Pati një sulm, unë dhe të gjithë me të cilët isha u lënduam”.

“Mjekët më operuan, më vunë platin në këmbë, por trajtimi vazhdon ende. Ne jemi fëmijë, çfarë bëmë që na bombarduan kështu? Kam parë gjëra në spital që më bënë të dridhem”, shtoi ajo.

Mira Ayyash thotë se dëshiron të shërohet menjëherë dhe shpreson të vazhdojë normalisht jetën e saj tani e tutje.

Shumica e të vrarëve dhe të plagosurve në sulmet izraelite në Gaza janë fëmijë.

Ashraf al-Qudra, zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, ka thënë se rreth 70 për qind e të vrarëve dhe të plagosurve në sulmet izraelite në Rripin e Gazës janë fëmijë dhe gra./aa